Tiranë – Një 44 vjeçar, i akuzuar për vrasje u arrestua natën e kaluar në Tiranë, pas mëse 17 vjetësh kërkimi policor.
Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur sot se, forcat e Komisariatit Nr.1 te Policisë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimit bënë të mundur arrestimin e shtetasit shumë të kërkuar Qamil Pepmarku, 44 vjeç, i cili u kap në një banesë të ndodhur në Farkë në Tiranë.
44 vjeçari ishte shpallur në kërkim për vrasje në vitin 1994 në Rrethin e Matit. Ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësorë Mat, me vendim të datës 07 nëntor të vitit 1996, e ka dënuar në mungesë me 18 vjet burgim duke e akuzuar për veprën penale të “vrasjes me dashje”.
Ngjarja për të cilën akuzohet i kërkuari, ndodhi më datë 18 shkurt të vitit 1994 në fshatin Gjocaj të Rrethit të Matit, ku Pepmarku në ambjentet e një lokali ka qëlluar me armë të ftohtë thikë shtetasin Ibrahim Lleshi.
Në sajë të posedimit të informacionit të strukturave të Policisë së Kryeqyetit mbi vendodhjen e të kërkuarit, u arrit identifikimi dhe kapja e tij.
Shtetasi i mësipërm u dërgua në vendin e vuatjes së dënimit.
Friday, 18 November 2011 10:53