Gjirokastër – Këshilli bashkiak i Gjirokastrës ka nderuar sot me titullin “Nderi i qytetit”, ambasadorin italian në Shqipëri, Saba D’Elia, me motivacion “Për kontributin të shquar në forcimin e lidhjeve vëllazërore dhe marrëdhënieve midis qytetit të Gjirokastrës dhe komunave e rajoneve të Italisë, në realizimin e shumë projekteve në qytetin muze e historik”.
Flamur Bime, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, teksa i ka dorëzuar Saba D’Elia titullin e akorduar, tha se ambasadori italian gjatë mandatit të tij në Shqipëri ka kontribuar në shtimin e marrëdhënieve dhe në implementimin e disa projekteve për zhvillimin e rajonit jugor. “Këto projekte po vazhdojnë me shumë sukses, duke kontribuar në zhvillimin e zonës”, pohoi Bime, ndërsa përmendi disa projekte të të rëndësishme që janë dhe po zbatohen aktualisht në qytetin e Gjirokastrës.
Saba D’Elia, ambasadori italian në Shqipëri, mes emocionesh falënderoi këshillin bashkiak për vlerësimin dhe titullin që iu dha. “Gjirokastra, falë lidhjeve me Italinë, do të ketë zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor që meriton”, specifikoi D’Elia. “Ky titull i takon dhe Republikës Italiane që ka mbështetur fort dhe pa rezerva liberalizimin e vizave, pasi Shqipëria, shqiptarët dhe gjirokastritët, e meritojnë të vazhdojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha D’Elia.
Wednesday, 16 November 2011 09:15