Shkodër – Kompania ndërtuese e Hidrocentralit të Ashtës përzgjodhi sot 3 nga nxënësit fitues të konkursit me vizatimet me subjekt ndërtimin e veprës energjike, të vlerësuara si punimet më të mira, ku evidentohen vlerat që ka ndërtimi i HC “Ashta”.
Në një ceremoni të organizuar të mërkurën në mjediset e kantierit ku po ndërtohet HC “Ashta”, me pjesëmarrës nxënës të shkollave 9-vjeçare të Komunës së Bushatit dhe Bashkisë së Vaut të Dejes, krahas dhënies së çmimeve për fituesit, përfaqësues të firmës ndërtuese të HC dhanë një panoramë të ecurisë së punimeve dhe vlerat që paraqet ndërtimi i kësaj vepre për Shkodrën dhe rajonin në tërësi.
Çmimin i parë, kundrejt një vlere prej 2000 Euro, iu dha Fatjona Leka, nxënëse e shkollës “Prek Cali” në komunën e Bushatit, e cila konkurroi me vizatimin e një llambë elektrike që simbolizon sloganin “Energji Ashta do të sjellë dritë në jetët tuaja”.
Ndërkohë që çmimi i dytë, në një vlerë prej 1000 Euro iu akordua nxënëses Melda Duli., në vizatimin e së cilës përshkruhej qartë diga, stacionin elektrik, apo edhe malet në sfond dhe vendin e tretë, kundrejt një shpërblimi prej 500 euro, e zuri Anila Gjecaj, nxënëse e shkollës “Don Martin Trushi” e komunës Bushat.
Në punimin e saj, hidrocentrali jepet me ngjyra të shumëllojshme të forta e të gjalla, duke sjellë simbolikën e ndërveprimit të natyrës dhe teknikës në një mënyrë unike. Nxënësit e shkollave pjesëmarrës në këtë aktivitet, vizituan më pas, dy stacionet elektrike Ashta 1 dhe Ashta 2 ku punimet kanë përparuar dukshëm drejt përfundimit të fazës së parë.
Thursday, 10 November 2011 20:43