Tiranë – 97% e objekteve që kanë marrë lejen e legalizimit nga ALUIZNI janë regjistruar në Zyrat e Regjistrimit. Arben Qirjako, drejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, bën të ditur se në Hipoteka regjistrimi i pronave të dala nga procesi i legalizimeve po vazhdon, me disa probleme të vogla.
“Mund t’ju jap vetëm një shifër të përafërt. Rreth 97% e objekteve që kanë marrë leje legalizimi dhe që kanë aplikuar te ne janë regjistruar. Për shkaqe teknike, një numër i vogël ende nuk është regjistruar. Por, këto probleme teknike do të zgjidhen midis dy institucioneve, Zyrës së Regjistrimit dhe ALUIZNI-t. Megjithatë, siç e thashë, bëhet fjalë për një numër të vogël,” thotë z.Qirjako.
Drejtori i ALUIZNI-t, tha këtë javë se, deri tani, Agjencia ka lëshuar rreth 65 mijë leje legalizimi. Duke e ballafaquar këtë shifër me atë të deklaruar nga kryeregjistruesi Qirjako, mund të llogarisim se rreth 63 mijë e atyre që kanë marrë leje legalizimi dhe kanë regjistruar, ose janë duke e regjistruar ligjërisht pronën e tyre. (LajmeShqip.com)
Saturday, 24 September 2011 18:08