Krujë – Më shumë se 95 mijë turistë, vendas dhe të huaj, kanë vizituar gjatë vitit të kaluar Muzeun Historik “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në Krujë.
Drejtori i këtij muzeu, Medi Hafizi, tha se krahasuar me një vit më parë, gjatë vitit 2011 Muzeun Historik të Krujës e kanë vizituar 2 mijë vizitorë më shumë, ndërsa pritet që në vazhdim numri i turistëve të interesuar të rritet edhe më tej.
Krahas punës së mirë të personelit, në rritjen e numrit të vizitorëve, për drejorin e këtij institucioni ka ndikuar edhe organizimi i veprimtarisë “Miss Shqipëria 2011” në muajin korrik, një pjesë e së cilës u realizua në mjediset e Muzeut Historik.
Në vitin që lamë pas, në oborrin e kalasë mesjetare dhe në mjediset e brendshme të Muzeut janë xhiruar edhe sekuencat e filmit të regjisorit Vladimir Prifti kushtuar heroit tonë kombëtar, premiera e të cilit do të shfaqet në 17 janar të këtij viti, në kuadër të veprimtarive për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së vendit.
Ndërkohë që rritja e numrit të kroçerave, me turistë nga e gjithë bota në portin detar të Durrësit, sipas Hafizit, ka zgjeruar njëkohësisht edhe hartën e vendeve nga ku vijnë vizitorët e muzeut “Skënderbeu”.
Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të fillimvitit, në muze nuk kanë munguar vizitorët, kryesisht grupe nga Polonia dhe Kroacia, si dhe miq nga Bullgaria, Italia, Sllovenia apo Mali i Zi , të cilët zgjodhën Shqipërinë për të festuar natën e ndërrimit të viteve.
Wednesday, 04 January 2012 16:10