Lajme Shqip Sunday, 05 May 2013 15:07

Tiranë – Mijëra familje shqiptare bukën e gojës e fitojnë nëpërmjet ndihmës ekonomike.

Sipas të dhënave nga Shërbimi Social Shtetëror, rreth 9% e numrit të familjeve në rang vendi trajtohen me ndihmë ekonomike. Ku zonat me varfërinë më të lartë janë veriu dhe verilindja e Shqipërisë. Në këto zona ndodhet dhe përqindja më e madhe e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike nga shteti,  raporton Ballkan Web. Në krye të listës renditen rrethe si Kukësi, ku gati gjysma e familjeve në këtë rreth e kalojnë muajin me më pak se 8 mijë lekë, më pas vjen Shkodra, Lezha dhe Elbasani. Ndërkohë që për Shërbimin Social problem mbetet përfitimi pa të drejtë i pagesës së ndihmës ekonomike nga mijëra familje. Sipas drejtorit të pagesave në kesh pranë Shërbimit Social Shtetëror, Leonard Strazimiri, gjatë dy muajve të parë të 2013 është vënë re një shtim i numrit të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, po ashtu nga kontrollet që janë bërë gjatë dy muajve të parë është verifikuar se 207 familje e përfitonin ndihmën ekonomike pa të drejtë si dhe 36 persona merrnin pagesën e paaftësisë në mënyrë abuzive. Sipas Strazimirit, kontrollet për zbatimin e ligjit dhe përfitimit të atyre që u takon realisht ndihma ekonomike do vijojnë. Ndër të tjera, ai ka sqaruar se përgjegjës për futjen në skemën e ndihmës të familjeve që nuk u takon kjo pagesë është pushteti vendor.