Tiranë – Shkollës “Qemal Stafa”, gjimnazi i parë i Tiranës, shkolla e famshme e kryeqytetit mbush 86 vjet që nga krijimi i saj.
Arsimdashësit dhe mësuesit atdhetarë të kohës morën vendimin historik, çeljen e liceut të Tiranës në vitin 1925.
Kryeministri i qeverisë shqiptare të asaj kohe, Ahmet Zogu me ane të një dekreti urdhëroi hapjen e gjimnazit te pare shtetëror në kryeqytet, fillimisht me një drejtor, katër profesorë, dy mësues dhe 25 nxënës. Ndër vite, gjimnazi meritoi të radhitet në shkollat elitare të arsimit kombëtar shqiptar.
Janë tashmë të njohura kontributet që kjo shkollë me mësuesit dhe nxënësit e saj ka dhënë për zhvillimin dhe progresin e arsimit shqiptar, si pjesë e shquar e shkencës dhe kulturës shqiptare si: Aleksandër Xhuvani, Eqerem Cabej, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Petraq Pepo, Gjergj Canco, Sali Ceka, Qazim Turdiu, Aqif Selfo, Ahmet Gashi, Avni Zajmi, Qamil Bala, Vangjel Gjikondi, Mihal Sherko, Karl Gurakuqi, Hysni Babameto,Safet Butka, Gavril Meksi, Aleko Tashko, Mihal Zallari, Stefan Prifti, Kadri Baboçi, Siri Shapllo, Gaqo Marko, Rudolf Papristo, Fadil Repishti, Sadete Cuci etj.
Mësues të këtij gjimnazi kanë qenë personalitete e njerëz të shquar, që bënë emër në fusha të ndryshme të artit kulturës dhe shkencës shqiptare si: Lasgush Poradeci, Nonda Bulka, Abdurrahim Buza, Skënder Luarasi, Arshi Pipa, Vedat Kokona, Anton Mazreku, Minella Karajani, Mark Gurakuqi, Kostandin Trako, Naun Stralla, Lirak Dodbiba, Skënder Anamali , Nexhat Hakiu etj, (18 “Mësues të Popullit” dhe 12 “Mësues të Merituar”).
Shumë mësues dhe nxënës të shkollës në vite u bënë personalitete të jetës politike dhe shoqërore dhe arritën të drejtojnë deri në majat e piramidës së shtetit shqiptar.
Sot shkolla krenohet me 75 dëshmorët e saj 13 prej të cilëve “Heronj të Popullit” (Qemal Stafa, Vasil Shanto, Ali Demi, Themo Vasi, Margarita Tutulani, Shyqyri Ishmi, Shejnaza Juka, Skënder Caci, Asim Zeneli, Manush Alimani, Nazmi Rushiti, Myslim Keta, Alqi Kondi).
Në vitet 47-48 gjimnazi mori emrin “Qemal Stafa” për nder të ish-nxënësit të tij, i vlerësuar në shkollë si “tepër inteligjent dhe i talentuar”, hero i luftës nacional-çlirimtare.
Që nga krijimi i gjimnazit, deri në ditët e sotme, aty kanë studiuar personalitete në fusha të ndryshme, ndër ta edhe Artistë të Popullit dhe Artistë të merituar si Naim Frashëri, Sandër Prosi, Pirro Mani, Panajot Kanaçi,Vaçe Zela, Violeta Manushi, Kujtim Spahivogli, Prokop Mima, Robert Ndrenika, Agim Prodani, Mario Ashiku, Enver Birko, Hysen Hakani, Ndriçim Xhepa etj.
Aty studiuan Piktorët e Popullit dhe Piktorët e Merituar si : Andrea Kushi, Abdurahim Buza, Sali Shijaku, Ksenofon Dilo, Janaq Paco, Zef Bumçi, Shaban Haderi, Fatmir Haxhiu, Kujtim Buza, Nexhmedin Zajmi, Maks Velo etj.
Në fushën e letrave përmenden Jakov Xoxe, Zihni Sako, Dalan Shapllo, Mihal Hanxhari, Dionis Bubani, Petro Zheji, Muzafer Xhaxhiu, Mustafa Greblleshi, Gjergj Zheji, etj.
Emra të tjerë nxënësish të dikurshëm të Gjimnazit spikatin sot në fushat e letrave shqipe si Teodor Keko, Fatos Kongoli, Diana Çuli, Mira Meksi , Edmond Tupja, ndërsa veçanërisht në gazetari emra të tillë si Artur Zheji, Afërdita Sokoli, etj.
Personalitete në shkencë janë: Profesorët Shefqet Ndroqi, Petrit Radovicka, Alfred Uci, Bajram Peza, Osman Kraja, Adelina Mazreku, Besim Daja, Neritan Ceka, Viktor Kasimati, Egon Gjadri, Spiro Qirko, Taxhedin dhe Bashkim Baholli, Maksim Cikuli, Ylli Pango etj.
Në fushat e sporteve kanë dalë personalitete si: Skënder Begeja, Besim Fagu, Zihni Gjinali, Dilaver Toptani, Rexhep Spahiu, Enver Maci, Feti Borova, Masar Aga, Mico Papadhopulli, Ramiz Pregja, Agim Fagu, PetritDibra, Edra Alibega, Klodeta Gjini, Sulejman Demollari deri te kapiteni i ekipit kombëtar i futbollit, Igli Tare.
Shumë nxënës të shkollës “Qemal Stafa” vazhdojnë sot në universitete të ndryshme të botës me rezultate të shkëlqyera.
Shkolla elitare mban disa dekorata si: Urdhër Pune Klasi II, Urdhër i Lirisë Klasi II,Urdhër i Flamurit, etj. Në këtë gjimnaz aktualisht mësojnë 1400 nxënës të ndarë në 33 klasa komode me mbi 50 mësues.
Tuesday, 06 December 2011 13:45