Prishtinë – Në manifestimin e organizuar në Prishtinë, organizuar nga rrjeti i OJQ-ve dhe Aleanca e Gruas e Kosovës u kërkua liri dhe drejtësi për ish kryeministrin, Ramush Haradinaj.
“… Sot, shumë të vetëdijshme, jemi këtu për të shprehur shqetësimin tonë ndaj një procesi të padrejtë e të stërzgjatur, i cili po ndodhë në gjykatën ndërkombëtare, jemi këtu për prijësin tonë të kohës së luftës, kur bëhej padrejtësi ndaj njerëzimit dhe kërkohej liri, për frymëzuesin dhe krijuesin e shtetësisë, në kohën kur bëhej barazi demokratike me popujt tjerë, për udhëheqësin e vazhdueshëm të proceseve, me të cilat dëshmoi se është strateg dhe i drejtë”, tha Donika Kadaj Bujupi nga AAK.
Gratë ftuan drejtësinë ndërkombëtare që të veprojë, duke e përfunduar këtë proces sa më shpejtë dhe duke e konfirmuar edhe herën e dytë pafajësinë e tij”.
************************************
Të enjten, më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gratë e Kosovës, të organizuara nga Aleanca e Gruas e Kosovës dhe OJQ-të, do të mbajnë tubim madhështor në mbështetje të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.
Manifestimi do të mbahet në orën 13:00, në sheshin pranë Teatrit Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë.
Këshilli Organizues i këtij manifestimi është duke u përkujdesur për çdo detaj, kurse në organizim janë përfshirë, përveç zyrtareve dhe aktivisteve të AGK-së, edhe shumë femra të tjera nga rrjeti i OJQ-ve në vend.
Manifestimi i së enjtes do të jetë i pari i këtij lloji, qysh kur ish-Kryeministri Haradinaj u akuzua padrejtësisht nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, pikërisht më 8 Mars të vitit 2005.
Rrjeti i OJQ-ve të Kosovës dhe Aleanca e Gruas e Kosovës ftojnë të gjitha femrat e vendit që, të enjten, më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, të marrin pjesë sa më masovikisht në manifestimin në mbështetje të z. Ramush Haradinaj dhe të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Friday, 09 March 2012 00:00