Lajme Shqip Friday, 07 March 2014 16:15

Kryeministri Edi Rama ka uruar sot të gjithë mësuesit shqiptarë, me rastin e festës së 7 marsit. Urimin në këtë ditë të veçantë kryeministri Rama ka zgjedhur që ta bëjë nga Liceu Artistik në Tiranë, nga shkolla ku ka studiuat edhe vetë. Duke uruar mësuesit në mbarë vendin për festën e tyre, kryeministri Rama tha se duhet një ndryshim i shpejtë, i cili do të vijë si rezultat i një dialogu me tre komponentë: më trupën e arsimit, me Ministrinë e Arsimit dhe me Ministrinë e Kulturës. 

“Çfarëdo ndryshimi, qoftë në pikëpamje të sistemit, qoftë në pikëpamje të infrastrukturës, qoftë në pikëpamje të bazës materiale, qoftë në pikëpamje të programeve brenda për brenda, duhet të vijë si një rezultat i një dialogu, besoj unë, me tre komponentë: me trupën arsimore këtu, me Ministrinë e Arsimit dhe me Ministrinë e Kulturës. Dhe nga ky dialog duhet të marrë jetë në një kohë të shpejtë një projekt, një projekt mbi të cilin duhet të punojmë bashkërisht dhe me disa prioritete. Pa humbur kohë, ju organizohuni në këtë drejtim dhe ne do t’ju mbështesim”, -u shpreh Rama. 

Në Liceun Artistik kryeministri Rama u prit nga drejtori dhe mësues të këtij institucioni, si dhe nga mësues që i kanë dhënë mësim edhe vetë kryeministrit Rama. 

Kreu i qeverisë ishte i shoqëruar edhe nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila theksoi se institucioni që ajo drejton është kthyer prej disa javësh në një sallë të shfaqjeve të ndryshme të nxënësve të shkollave të artit. Vetë godina e institucionit të ministrisë së kulturës paradite shërben për administratën ndërsa pasdite në ambientet e saj jepen koncerte të ndryshme. 

“Ndaj me ju kënaqësinë që në gjithë këto javët e fundit, duke filluar nga modele të vogla, vetë zyrat, vetë institucioni i Ministrisë së Kulturës ka një sallë koncerti. Unë kam kënaqësinë që çdo pasdite, kur unë  ende vazhdoj të punoj, Ministria e Kulturës jehon çdo ditë nga tingujt e muzikës. Shkolla “Jordan Misja” është një skenë e hapur për shkollën tuaj dhe jo vetëm, pas jush kanë ardhur edhe modele të tjera”, -tha Kumbaro.