Prishtinë – Në Mitrovicë për herë të parë zyrtarisht u shënua 6 Qershori, Dita e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me aktivitete të ndryshme të organizuara nga komuna. 
Dita ka nisur me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Shipol, ku pos familjarëve të dëshmorëve kanë marrë pjesë edhe drejtuesit komunalë, mandej përfaqësues të shoqatave të luftës, institucioneve etj.
Në mesditë është mbajtur akademia përkujtimore në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”, në prani të një numri të madh të
qytetarëve, ku pos drejtuesve të komunës ishte i pranishëm edhe simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka shprehur kënaqësinë e veçantë që për herë të parë pas luftës 6 Qershori në Mitrovicë shënohet si ditë zyrtare e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kanë kaluar 13 vite që ne frymojmë të lirë. Biem dhe zgjohemi pa frikë në shtëpitë tona, në qytetet dhe në atdheun tone. Dhe çdo ditë përjetojmë jetën e dinjitetshme që nuk e kishim me shekuj”, tha ai.
Duke çmuar sakrificën e të rënëve, ai tha se përditë ndjehet rëndësia e sakrificës dhe luftës heroike të bijve më të devotshëm të kësaj toke, të cilët me gjakun e tyre i dhanë jetë lirisë.
“Ndjehemi të fortë dhe të pathyeshëm nga nami dhe vepra e tyre që na frymëzon, përkundër sfidave me të cilat ballafaqohemi në forcimin e shtetit tonë të pavarur”, tha kryetari Kastrati, duke shprehur mirënjohje pr brezat e tërë që ruajtën frymën e kombit. “U jemi mirënjohës dëshmorëve, të cilët na mundësuan që ne të jetojmë dhe të festojmë të lirë, por na mbetet obligim që bashkërisht të punojmë për forcimin e mëtejmë të këtij shteti, ashtu siç e kanë dashur ata që kanë dhënë jetën për të”, tha ai.
Në këtë aktivitet foli edhe profesori, Miftar Kurti, mandej kryetarja e Shoqatës së Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së, Alie Tmava dhe simboli i rezistencës, Adem Demaçi.
Për të pranishmit u shfaq edhe një program artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollës së muzikës “Tefta Tashko” (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 June 2012 19:00