Lajme Shqip Monday, 28 January 2013 13:19

TIRANË -Virusi i gripit amerikan po qarkullon prej pak ditësh edhe në Shqipëri.
Epidemiologët e Institutit të Shëndetit Publik kanë regjistruar rastet e para me AH3N2, duke kërkuar rritjen e vigjilencës nga bluzat e bardha dhe kujdesin e qytetarëve.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Enver Roshi tha sot për mediat se janë pesë rastet me tipat e ndryshëm të viruseve gripale që janë lokalizuar në Tiranë. Sipas tij, 2 janë raste me Ah3N2 dhe 3 raste të tjera me virusin gripal të tipit B.

Specialistët e ISHP-së shprehen se nuk ka vend për panik, pasi situata në vend është në monitorim të plotë dhe se intensiteti i virusit është i ulët në Europë.
Por, Roshi shton se rastet do të vijnë në rritje.

“Nëse përpara një jave virusi i gripit nuk qarkullonte në Shqipëri, tani laboratori i virologjisë ka izoluar rastet e para për tipat A dhe B. Këto viruse kanë qarkulluar edhe vitet e kaluara dhe nga informacionet e OBSH-së, rezulton se nuk paraqesin ndonjë veçori këtë vit”, bën të ditur për “Panorama”, Dritan Ulqinaku, specialist në Departamentin e Sëmundjeve Infektive në ISHP.

Ai shtoi se shenjat e prekjes nga gripi janë dhembje koke, kollë, temperaturë e lartë.
“Të prekurit duhet të kontaktojnë mjekët e familjes në rast se shfaqin simptoma të tilla”, tha Ulqinaku.

Ai shtoi se numri i të prekurve nga virozat gripale ka arritur në 13 000, por sërish është më i ulët se vitin e kaluar.(LajmeShqip.com)