Lajme Shqip Saturday, 05 May 2012 18:20

Shkup – Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi me rastin e Ditës së dëshmorëve të kombit, 5 Maji mori pjesë në Akademinë Përkujtimore që u mbajt sot në Shkup.

Në këtë Akademi përkujtimore morën pjesë figura të ndryshme politike e patriotike, ku u kërkua unitet më i madh mes faktorit politik shqiptar brenda dhe jashtë vendit, si dhe mos njollosje e veprës së dëshmorëve të kombit.

Zëvendëskryeministri Xhaferi, me këtë rast tha se ideali i bijve të kombit ishte realizimi i të drejtave të shqiptarëve dhe amaneti i tyre nuk është harruar do të realizohet deri në fund.

Ai njoftoi se për nder të sakrificës së dëshmorëve të kombit, një rrugë në qytetin e Shkupit do të mbajë pikërisht emrin “5 maji”.

Nipi i komandantit Ismet Jashari, Nderim Jashari u shpreh se si familje kërkojnë unitet më të madh brendapërbrenda faktorit shqiptarë qoftë këtu apo në të gjitha shtetet shqiptare që janë Shqipëri-Kosovë e gjetiu.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti në fjalimin e tij tha se bashkërisht çdo vit i kujtojmë ata që mundësuan ndryshimet reale në këtë vend dhe shoqëri.

Akademia u organizua nga Shoqata e Veteranëve të Luftës dhe Këshilli organizativ për shënimin e 100 vjetorit të Flamurit kombëtar. (LajmeShqip.com)