A ju ka ndodhur që pas një interviste pune të ndjeni se diçka nuk shkoi siç duhet dhe ju realisht nuk jeni të sigurt përse? Mos u dëshpëroni, pasi çdo gjë e ka një zgjidhje. Çdo intervistë të dështuar shikojeni si një përvojë të re. Në mënyrë që t’iu lehtësojmë përvojën në të ardhmen, ja disa këshilla se çfarë nuk duhet të pyesni apo thoni gjatë një interviste pune.
1. Sa do ta kem rrogën?
Është rregull që në intervistën e parë të mos diskutohet rreth rrogës. Nëse ju që në takimin e parë pyetni se sa do ta keni rrogën, punëdhënësi do të mendojë se ju jeni më shumë të interesuar për paratë sesa për punën, dhe kjo do të ndikojë negativisht në vlerësimin tuaj për pozitën që po aplikoni. Si fillim fokusohuni në atë çfarë ju mund të ofroni dhe jo për atë që mund t’ju ofrojnë.
2. Me çfarë merret në të vërtetë kjo organizatë?
Kandidati për punë duhet të hulumtoj paraprakisht lidhur me kompaninë në të cilën aplikon. Pasi një ndër pyetjet e mundshme gjatë intervistës është: “Çfarë mendoni për kompaninë tonë apo çfarë njohurish keni për kompaninë tonë?”. Nuk është e nevojshme të dini gjithçka, vetëm të dhënat thelbësore: produktet dhe shërbimet që ofrojnë. Kjo do të lërë përshtypje se ju jeni të interesuar dhe dini çfarë kërkoni.
3. Drejtori im i mëparshëm ishte idiot
Duke sulmuar drejtorin tuaj të mëparshëm apo duke e kritikuar atë në çfarëdo mënyre, tek personi që ju interviston do të leni përshtypje se të njëjtën gjë do ta bëni edhe kur të punoni për të. Fundja edhe ai mund te jetë drejtori juaj, apo jo?
4. Po, Po, Po, Jo.
Kurrë mos u përgjigjni pyetjeve në intervistë vetëm me Po ose Jo! patjetër duhet të shtoni edhe disa fjali pasi do të dukeni si të pa interesuar dhe pa entuziazëm, pasiv dhe indiferent.
5. Nuk kam asnjë pyetje për ju
Zakonisht në fund të intervistës punëdhënësi pyet nëse keni ndonjë pyetje. Asnjëherë mos thoni “JO”. Do të leni përshtypje se nuk jeni edhe aq të interesuar për këtë kompani dhe se nuk jeni aq të zgjuar. Prandaj bëhuni të zgjuar. Në intervistë shkoni me disa pyetje te parapërgatitura. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 January 2012 14:00 