TIRANË, “Tirana 48 orë Film Project”, festivali i filmit të shkurtër për kineastët e rinj, rikthehet në edicionin e tij të dytë në tetor.
Faza e aplikimit tashmë ka filluar, ndërkohë që shorti i përzgjedhjes së ekipeve realizuese, me një producent, regjisor, skenarist, aktorët, etj do të hidhet të premten e 21 tetorit dhe menjëherë më pas grupet do të fillojnë nga puna për realizimin e një filmi 4-7 minuta.
Iniciatori dhe drejtuesi i festivalit, Robert Aliaj, shprehet se suksesi i edicionit të parë i motivon që këtë vit me eksperiencën e krijuar ta çojnë festivalin edhe më tej.
“Parashikimet për edicionin e dytë janë që numri i pjesëmarrësve të dyfishohet. Tirana 48 Hour Film Project është një festival që hap dyert e karrierës së kineastëve të vërtetë, ëndërrimtarë dhe të pasionur”, është shprehur Aliaj.
Pas përzgjedhjes së ekipit krijues, secilit i caktohet zhanri, karakteri dhe linja e dialogut të filmit që duhet të realizojnë dhe brënda 48 orësh ai duhet të jetë gati. Publiku do të ketë mundësi të shikojë realizimet kinematografike një javë pas përfundimit të tyre, ndërkohë që filmi fitues do të konkurrojë me filmat fitues nga e gjithë bota për titullin “Best 48 hour Film of the Year 2011”.
Filmi fitues do të vazhdojë rrugëtimin, duke përfaqësuar Shqipërinë dhe Tiranën në Kompeticionin Ndërkombëtar në SHBA, për të konkurruar për çmimin e lartë Filmapalooza, i cili zhvillohet në NAB Show. Organizatorët bëjnë me dije se këtë vit, 20 prej filmave më të mirë të vitit në shkallë ndërkombëtare, do të shfaqen në seksionin e filmave të shkurtër të Festivalit Nderkombëtar të Kanës.
“48 Hour Film Project” u prezantua në Tiranë për herë të parë në vitin 2010, ku u krijuan 28 grupe filmike, u finalizuan 16 filma të rinj dhe u angazhuan 200 kineastë. Filmi fitues i edicionit të parë “Çifti i Lumtur”, konkuroi në Festivalin Ndërkombëtar të filmit “Filmapaloza” në Miami, nga ku, 14 nga filmat më të mirë të 80 vendeve, do të vazhdonin udhëtimin e tyre për në Festivalin e Kanës, në një program special, Short Film Corner.
“48 Hour Film Project” është një fenomen kulturor botëror, që organizohet në 80 qytete të botës, duke iu ofruar kineastëve të rinj mundësinë për t’u shprehur në fushën e kinematografisë dhe duke ju siguruar vizibilitetin botëror.
Tuesday, 20 September 2011 12:04