Prishtinë- Organizuar nga Këshilli Britanik në Kosovë, Këshilli Britanik në Washington DC dhe Ambasada Britanike, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, në Prishtinë ka nisur punimet Konferenca tre ditore “Rrjeti Transatlantik TN2020”, me temën “Fuqizimi në Ballkan”.
Në hapje të punimeve të konferencës, të pranishmëve i janë drejtuar, Rebecca Zylberman nga Këshilli Britanik në Washington DC, drejtoresha e Këshillit Britanik në Kosovë, Arjeta Emra, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, zv/ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi si dhe publicisti dhe historiani i mirënjohur, Tim Judah.
Sipas MPJ kosovare, Selimi në hapje të Konferencës përmendi vizitën e komisionerit për zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, duke thënë se ky është një hap i Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Ambasadori Britanik në Prishtinë, Ian Cliff, në fjalën e tij theksoi nevojën që të punohet bashkërisht në mënyrë të përgjithshme, ndërmjet SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për fuqizimin e Ballkanit.
“Mendoj se është posaçërisht interesante se janë bërë përpjekje të mëdha këtu në Kosovë në mënyrë që të fillojnë të zhvillohen disa lidhje jo vetëm me SHBA-të, por edhe me Evropën dhe vendet e tjera, si për shembull me Arabinë dhe me vendet e Caricom-it. Sidoqoftë është mirë që të punohet në këtë drejtim me SHBA-të dhe Evropën, të punohet në mënyrë të përgjithshme, për fuqizimin e Ballkanit”, tha Cliff.
Më pas, kanë filluar punimet në katër Grupet Punuese të Konferencës, në të cilat kanë marrë pjesë rreth 40 liderë të rinj nga Amerika Veriore, Meksika dhe shtetet e Evropës. Në Grupet Punuese (Grupi Qeveritar, Grupi i Biznesit, Grupi i Medieve dhe Grupi i Shoqërisë Civile), kanë filluar të trajtohen çështje që kanë për qëllim zhvillimin e ideve të reja dhe qasjeve kreative për adresimin e sfidave të përbashkëta në Ballkan. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 March 2012 08:00