Tiranë – 990 fëmijë nuk shkojnë më në shkollë, 49 fëmijë janë larguar nga Shqipëria dhe 144 fëmijë janë ende të ngujuar, këto janë shifrat e publikuara sot, gjatë takimit të Asamblesë Mbarëkombëtare të Pajtimit dhe të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të misionarëve për lirimin pa kushte të Grave dhe Fëmijëve.
Pashk Lleshi, Përfaqësues i Komitetit Mbarëkombëtar të Pajtimit, duke publikuar raportin mbi fenomenin e gjakmarrjes në vendin tonë, vuri ndër të tjera në dukje rolin sensibilizues të Qeverisë Lokale. “Asambleja i falenderon krerët e bashkive dhe komunave të cilët gjatë këtyre viteve kanë dhënë një kontritbut të rëndëishëm në bashkimin e shumë familjeve dhe sensibilizimin e opininonit publik mbi efektet negative të këtij fenomeni”, tha Lleshi.
Sa i takon raportit, Përfaqësuesi i Komunitetit Mbarëkombëtar të Pajtimit, bëri të ditur se ai është bazuar në shifra zyrtare, ndërsa njoftoi se Komitetiti i Pajtimit ka nisur që prej datës 17 Nëntor 2011, ekspeditën vjetore për lirimin pa kushte të grave dhe fëmijëve të ngujuar, si dhe krijimin e hapësirave të nevojshme për pajtimin e familjeve. Lleshi tha se “një nga rajonet më problematike, është Shkodra, nga ku janë larguar 102 fëmijë nga mosha 2-10 vjeç, po ashtu 512 fëmijë nga mosha 12-16 vjeç dhe rreth 200 fëmijë nga mosha 16-18 vjeç”, theksoi Marku.
Një nga pikat që nxiti debat, ishte ajo e sekserëve të pajtimit, të cilët sipas Lleshit, “jo gjithmonë kanë qëllime pozitive. Nuk është shqetësues fakti i rritjes së numrit të tyre, por fakti që shumë prej tyre e shfrytëzojnë depërtimin, miqësinë me familjet në hasmëri për të stimuluar këto familje që të shtyjnë pajtimin, duke e kthyer misionin e tyre në një biznes tragjik për familjet në hasmëri”.
Një tjetër temë e prekur gjatë takimt ishte ajo e vrasjese së femrave dhe fëmijëve për gjakmarrje. Sipas tij, “nuk ka akt më ulët se femra dhe fëmija të vrarë për gjakmarrje. Nuk ka vepër më makambër se vrasja një vajze në lulë të moshës, në oborrin e shtëpisë së saj për gjakë marrje”. Ai kujtoi vrasjen tragjike të Mari Qukut dhe gjyshit të saj pak javë më parë në Dukagjin.
Asambleja në fund të takimit i bëri thirrje Qeverisë, Pushtetit lokal dhe të gjitha organizatave të tjera për t’u bashkuar dhe për t’u përballur me këtë fenomen, që merrë çdo ditë jetë njerëzish, ndërsa mbajti dhe 1 minutë heshjte për Maria Qukun dhe djalin 9-vjeçar të vrarë për gjakë marrje javën e fundit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 July 2012 21:25