Prishtinë – Në pikën kufitare në Merdar është arrestuar serbi Todor Milorad Doshaleviç, 1971, nga Hoça e Madhe e Rahovecit, me vendbanim në Jagodinë të Serbisë. Ai në pikën kufitare në Merdar kishte hyrë me flamurin serb, në gjatësi prej 2 metrash, që e kishte ngritur në veturën e tij të tipit “Pasat” me targa PZ 422 27, thuhet në një njoftim të policisë.
Todori pasi ishte urdhëruar nga Policia kufitare e Kosovës për të hequr flamurin serb nga vetura, ai kishte nisur të fyejë policinë dhe popullin e Kosovës, me fjalët se “këtu është Serbi e nuk njoh polici as Gjykatë të Kosovës” etj.
Dyzetvjeçarit nga Hoça e Rahovecit, pensionist invalidor pas arrestimit nga policia i janë gjetur edhe 6000 mijë euro, që dyshohet se i kishte sjellë për t’ua shpërndarë shokëve të tij në Kosovë, për të marrë pjesë në shënimin e ditës së Vidovdanit.
Todor Doshaleviç pasi është sjellë para kryetarit të Gjykatës për Kundërvajtje në Podujevë, Sabit Çitaku, ka refuzuar të japë deklaratë dhe ka kërkuar të jenë prezent KFOR-i dhe UNMIK-u. Ai së pari është dënuar për veprën kundërvajtje, me një gjobë prej 450 eurosh dhe pasi ka refuzuar aktvendimin e kryetarit të Gjykatës, ka pasuar vendimi tjetër me burg prej 30 ditësh, vendim i cili është ekzekutuar menjëherë.
Doshaleviç, në bazë të veprimeve të tij dhe si pensionit invalidor, dyshohet të ketë marrë pjesë edhe në krime monstruoze ndaj shqiptarëve gjatë luftës.
Tuesday, 28 June 2011 15:51