Lajme Shqip Sunday, 02 June 2013 13:27

Shkup – Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski ka qëndruar për një vizitë inspektuese, në vendin ku po ndërtohet segmenti rrugor Demir Kapi-Smokvicë, që është pjesë e korridorit ndërkombëtar 10 i cili lidh Serbinë me Greqinë.

Gruevski është ndarë i kënaqur nga punimet që po vijojnë, duke u shprehur optimist për përfundimin në kohë të tyre, brenda afatit të caktuar që është viti 2016.

Për projektin janë ndarë gjithsej 271 milionë euro, mjete këto të siguruara nga EBOR, nga Banka Evropiane për Investim, nga fondet e IPA-s dhe nga buxheti i shtetit, njofton Zhurnal.

Por, ndërkohë që investimi në rrugë po përqendrohet vetëm në këtë pjesë të vendit dhe në Korridorin 10, projekti për ndërtimin e korridorit që lidh Shqipërinë, Maqedoninë, Bullgarinë dhe Turqinë, dhe që kalon nëpër vendbanimet shqiptare të Maqedonisë Perëndimore, është vënë në “stand by” dhe ka kohë që është vetëm një përcaktim deklarativ i Qeverisë.

Ndërtimi i Korridorit 8 do të shkurtonte dukshëm distancën kilometrike dhe kohore në mes Shqipërisë e Maqedonisë.