Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 13:30

Tiranë-Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi kërkon hetim të pavarur dhe të pandikuar politikisht për ngjarjet e 21 janarit të vitit të kaluar.

Sequi theksoi se ndërkombëtaret presin që hetimi të vazhdojë nëpërmjet zyrës së prokurisë duke shprehur besimin tek ky institucion ndërsa tha se kërkohet drejtësi nga sistemi gjyqësor.

“Reforma në drejtësi është shumë e nevojshme, pasi sistemi i drejtësisë ëshë faktor me shumë rëndësi në integrimn e Shqipërisë”-tha Sequi në mbledhjjen e tretë të Komitetit Drejtues të Palëve të Interesit të projektuar nga BE, ‘Konsolidimi i Sistemit te Drejtesise ne Shqiperi” (EURALIUS III)’.

Në krye të tryezës së gjerë ishin ambasadori Sequi, kryeprokurorja Ina Rama, Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, kryetarja e gjykates Shpresa Becaj, dhe nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu.

Ambasadori i BE, theksoi se puna e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë themel për demokracinë në vend. Ai kerkoi qe të luftohet korrupsioni në të gjitha nivelet.

“Duhet progres i mëtejshëm në pavarësinë e gjyqësorit. Shqipëria duhet të përshpejtojë punën sa i përket korrupsionit në të gjitha nivelet. Amandament e kodeve duhet vazhdojnë me një frymë bashkëpunimi duke shmangur pengesa për ecuri të mëtejshme” ka theksuar Sequi.

Ambasadori ka shtuar më tej se Shqipëria ka bërë përparime në reformimin e sistemit të drejtësisë ndërsa ka konfirmuar mbështetjen Bashkimit Europian për reformën në gjyqësor.

Gjatë fjalës së saj në tryezë, kryeprokurorja Ina Rama shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe asistencën që Komisioni Europian po i jep sistemit të drejtësisë në vendin tonë.

Duke theksuar vështirësitë me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, prokurorja e përgjithshme deklaroi se në themel të vendosjes së drejtësisë mbetet vullneti.

“Është e vështirë të bëhet drejtësi por së bashku jemi të vendosur se drejtësia përcaktohet nga vullneti.”- deklaroi kryeprokurorja. (BW)