Tiranë (PLOTESUAR 13:15) Është zhvilluar i qetë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, manifestimi homazh i organizuar nga opozita, në nderim të katër viktimave që humbën jetën në protestat e dhunshme të 21 janarit 2011.
Në krye të kortezhit qëndronin të afërm të katër viktimave që mbajnë në duar portretet e tyre, dhe pas vijnë drejtues të PS-së, kryetari Edi Rama, deputetë socialistë, krerë të partive opozitare dhe qytetarë.
Ata marshuan në heshtje përgjatë bulevardit qendror në Tiranë dhe bënë homazhe në vendin ku u vranë katër protesuesit, si dhe vendosën lule para portreteve të mëdha të katër viktimave të demonstratës të 21 janarit të vendosura përballë selisë së Kryeministrisë.
Kreu i korterzhit është larguar aktualisht nga vendi ku u zhvilluan homazhet, në bulevradin “Dëshmorët e Kombit”, ku tani është afruar dhe po kryen homazhe pjesa tjetër e qytetarëve dhe mbështetësve të PS-së.
Krerët e PS-së pritet të zhvendosen në ambientet e Akademisë së Arteve, ku është parashikuar edhe mbajtja e fjalimeve dhe mesazheve në kujtim të ngjarjes së një viti më parë.
Ndërkohë, godina e Kryeministrisë është vënë në ruajtje nga efektiva të shumta policie për të parandaluar çdo lloj incidenti.
*************************
Tiranë- Opozita po zhvillon protestën homazh për ngjarjet e 21 janarit të vitit 2011, për të kujtuar 4 viktimat që u regjistruan gjatë protestave të dhunshnme. 
Sipas axhendës së parashikuar nga zyra e shtypit te PS, në orën 11:00 së bashku me familjarët e tyre, por edhe me qytetarë të ardhur nga rrethe të ndryshme te vendit, u nisin ecjen e heshtur nga selia e Partisë Socialiste.
Me lule, pankarta dhe me fotot e 4 viktimave, në heshtje, vargu i njerëzve zhvilloi homazhet në vendet ku ranë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nikaj. Nën tingujt e muzikës funebër për rreth 1 orë, qytetarët të prakaluan në heshtje, në vendin ku u vranë 4 protetsuesit.
Pas vendosjes së luleve në vendin ku është vrarë protestuesi i parë, përfaqësuesit e opozitës dhe qytetarët do të vazhdojnë sërish në këmbë drejt Akademisë së Arteve. Në orën 12:00 në ambientet e Akademisë së Arteve është parashikuar edhe mbajtja e fjalimeve dhe mesazheve në kujtim të ngjarjes së një viti më parë.
Një staf nga PS ështa angazhuar në terren dhe ka orientuar homazhet, për të mos lejuar asnjë provokim ndersa vlen te theksohet se deri tani marshimi funeber ka kaluar pa probleme.
****************************
Tiranë -Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje në mbrëmje i ftuar në një emision televiziv se, për sa kohë që drejtësia nuk ka thënë fjalën e vet për ngjarjet e 21 janarit, ka vend për sulme ndaj opozitës.
Rama u shpreh se shqiptarët, me sytë e medias kanë parë e bërë vlerësimin e tyre për të gjithë demostratën e 21 janarit. Opozita, theksoi Rama, në bulevard u provokua rëndë dhe gjendja doli nga kontrolli për përgjegjësinë ekskluzive të forcave të rendit. Sipas tij, dhuna mbi protestuesit ka nisur ende pa filluar demostrata, kur protestuesit ishin duke ecur në bulevard.
Sigurisht që protesta është ideuar nga Partia Socialiste, por që dhuna ka qenë një produkt i keqadministrimit nga ana e policisë së demostratës, për mua nuk ka pikë dyshimi.
“Ata që hapën zjarr duhet të jenë përpara drejtësisë dhe është e papranushme të jenë në krye të shtetit”, theksoi më tej Rama. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 January 2012 10:00