TIRANE – Në Tiranë përkujtohet sot 2-vjetori i ngjarjeve tragjike të 21 janarit, ku humbën jetën 4 persona. Opozita përkujton me homazhe, dokumentar, lule e muzikë funebre, 4 protestuesit e saj që u vranë në 21 janar 2011, në qendër të Tiranës. Dy vjet pas tragjedisë, PS-ja po nderon viktimat, me lule dhe një parakalim pranë fotove të tyre, vendosur në 4 vendet ku ata ranë, shumë pranë kryeministrisë. Shumë qytetarë nga e gjithë Shqipëria i janë bashkuar marshimit homazh.
Vijon në heshtje marshimi drejt sheshit përpara Kryeministrisë
Ora 11: 20- Kortezhit që u nis në orën 11:00 nga selia rozë, iu bashkuan qytetarë të shumtë me lule e kurora në duar. Organizatorët e protestës homazh kanë marrë masa për të orientuar kortezhin. Kulmi i homazheve do të jetë në vendin ku u vranë katër viktimat e 21 janarit. Persona me shirit të zi në krah, koordinojnë qytetarët, në mënyrë që të gjithë të nderojnë viktimat. Në mes të turmës dallohet kreu i PS-së, deputetë e përfaqësues të Partisë Socialiste.
Opozita nis marshimin homazh nga selia rozë
Ora: 11:00- PS-ja nisi nga selia rozë marshimin homazh, pikërisht nga aty ku nisi edhe protesta e 2 viteve më parë. Njerëzit po marshojnë në heshtje drejt bulevardit kryesor të Tiranës, për të qëndruar më pas para kryeministrisë. Aty jenë vendosur 4 fotot e të vrarëve të 21 janarit, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj. Bashkë me deputetët e drejtuesit e opozitës janë edhe familjarët e 4 të rënëve. Gjatë gjithë kohës marshimi shoqërohet në sfond me muzikë funebre.
Me të mbaruar homazhet, një tjetër aktivitet pritet të nisë, në kinema “Millenium”. Aty do të shfaqet një dokumentar me gjithçka ndodhi në 21 janar. Ky është një dokumentar, CD-ja e të cilit iu dha edhe ambasadorëve të huaj, pas 21 janarit. Aty shfaqen të gjitha pamjet e protestës, së bashku me momentet tragjike të 4 vrasjeve. Por gjithashtu janë edhe deklaratat e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, si edhe fakte të tjera që PS-ja i ka ruajtur me fanatizëm, së bashku me komentet e saj mbi atë ngjarje. Në përfundim edhe të këtij aktiviteti, deputetë dhe drejtues të PS-së do të shpërndahen për të kryer vizitat e ngushëllimit në familjet e 4 protestuesve që tashmë nuk jetojnë më.
21 janari, mbështetës të PS-së në rrethe drejt Tiranës
Ora 10:30 – Mbështetës të Partisë Socialiste nga të gjitha qytetet e vendit janë nisur drejt Tiranës, për të marrë pjesë në tubimin homazh të organizuar nga opozita në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të përkujtuar katër viktimat e demonstratës së 21 janarit.
Mbi 300 protestues opozitare nga Elbasani janë nisur mëngjesin e sotëm drejt Tiranës, ku do të marrin pjesë në marshimin e heshtur të opozitës. Kreu i PS-së së Elbasanit, Astrit Halili deklaroi se për simpatizantët e PS-së nga Elbasani janë vënë në dispozicion autobusë, ndërsa një pjesë e mbështetësve janë organizuar në mënyrë private.
Ndërkohë nga qyteti i Durrësit janë nisur drejt Tiranës 15 autobusë me 750 persona. Nga Korça pritet të mbërrijnë në kryeqytet rreth 200 mbështetës të PS-së, të cilët janë nisur me 3 autobusë dhe furgona të linjës Tiranë-Korçë.
Babai i Aleks Nikës: Pres drejtësi
Ora 10:14 – Babai i Aleks Nikës, Ndue Nika kërkon zbardhjen e së vërtetës dhe vënien para drejtësisë së vrasësit të djalit të tij. Ndërsa akuzon kryeministrin Berisha për vrasjet, ai hedh akuza dhe ndaj ish-kryeprokurores Ina Rama që sipas tij, neglizhoi zbardhjen e së vërtetës ndërkohë që shpreson te prokurori i ri Adriatik Lalla.
“Kam shkuar para disa muajsh me gjithë nusen e djalit tek Ina Rama, tek zyra e kontrollit aty tek dera, dhe përfundimisht pas një ore ajo9 na ka kthy përgjigje, “nuk kam kohë, nuk merrem me këtë punë”. Sot e kësaj dite ujë jam sikur gogla në majë të ujit. Pres drejtësi. Djali im nuk ngjallet, por duhet të më japi përgjigje shteti kush e ka fajin. Fajin unë e di se e ka shteti komplet. Më ka vrarë djalin me urdhër, nuk përdoret snajperi në asnjë vend të botës pa urdhër të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Më ka borxh Sali Berisha sa të jetë gjallë. Prokurori i ri të studiojë kush është fajtori. Pse e anulojnë dosjen e Aleksit. Tre vetë kanë dalë emrat se kush i ka vrarë, Aleksi im nuk del.”- u shpreh babai i Aleks Nikës, në një prononcim për NEWS24.
Policia e Tiranës: Bllokohet qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”
Ora: 09:20 – Nga ora 10:00 deri në orën 14:00, Policia e Tiranës do të bllokoj qarkullimin e automjeteve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri në sheshin Nën Tereza”, si dhe nga Sheshi “Austria” drejt Kryeministrisë.
Sipas njoftimit për shtyp të uniformave blu të kryeqytetit, gjatë ditës së hënë për shkak të homazheve që do të zhvilloj Partia Socialiste, në kuadër të 2 vjetorit të “21 Janarit”, kur, gjatë një proteste të dhunshme të organizuar nga opozita në 2011-ën humbën jetën 4 persona.
Sipas Policisë, janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rendin dhe sigurinë për qytetarët e kryeqytetit, gjatë tubimit homazh të organizuar nga partia Socialiste.
Ndërsa, mësohet se orari o kufizimit të qarkullimit do të jetë nga ora 10:00 deri 14:00. Rrugët e bllokuara do të jenë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga “Sheshi Skënderbej deri tek Sheshi “Nën Tereza”, po ashtu dhe zona nga Sheshi “Austria” tek Kryeministria.
Deklarata e Ramës një ditë më parë
Ora 7:50 – Një ditë para homazheve për 21 janarin dhe viktimat e kësaj proteste, kreu socialist deklaroi se: “Ky është një tjetër 21 janar pa drejtësi! Madje një 21 janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm”. “Ne do të jemi nesër (sot), aty ku kemi qenë qysh nga dita e parë, në kërkim të drejtësisë, duke kujtuar 4 dëshmorët e 21 janarit. Dua të shpreh edhe njëherë bindjen se 21 janari është nga ato ngjarje, që një vend nuk ka mundësi t’i harrojë. Sepse është një plagë që do të mbetet e hapur, deri kur drejtësia të vihet në vend”, – deklaroi Rama. Sipas kreut të PS-së, “është një nga ato plagë që kombet nuk i mbyllin dot me sytë e harresës. Është një plagë, që ne do të bëjmë çmos për ta shëruar përmes drejtësisë”. “Nga ana tjetër, dua ta vlerësoj shumë lart qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre më të lartë në Shqipëri në kërkim të drejtësisë për 21 janarin. Është një qëndrim, që vjen duke u forcuar muaj pas muaji dhe vit pas viti, ashtu siç vjen duke u forcuar bindja e përgjithshme se 21 janari është një nga ato momente, që nuk mund të harrohen kurrë dhe nuk mund të mbeten kurrsesi aty të paharruara dhe të pagjykuara”, – tha kreu socialist.
Procesi gjyqësor për 21 janarin
Agim Llupo, është i vetmi efektiv i Gardës që ndodhet prapa hekurave për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit. Ai akuzohet dhe për vrasjen e demonstruesit Hekuran Deda. Ndërsa, mbi supet e ish-shefit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, rëndon akuza e vrasjes së demonstruesit fierak Faik Myrtaj. Sipas prokurorisë, Prendi, për të fshehur krimin ndërroi tytën e pistoletës me atë të shoferit të tij, Margarit Kume. Ky i fundit, akuzohet për kryerjen e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. E vetmja vrasje e pazbardhur është ajo e Aleks Nikës, që me shumë gjasa do të mbetet një ngjarje pa autor, pasi plumbi që goditi për vdekje të riun, është tërësisht i dëmtuar.(LajmeShqip.com)
Monday, 21 January 2013 11:32