Tiranë- “Drejtësia të gjykojë veprimet e të gjithë aktorëve në ngjarjet e 21 janarit”, u shpreh sot për mediat ministri i Brendshem Bujar Nishani, duke folur per çështjen e “21 janarit”.
“Të gjitha strukturat e shteti që u angazhuan në mbrojtjen e rendit publik, në mbrojtjen e sigurise publike, në mbrojtjen e institucioneve kushtetuese të vendit, në mbrojtjen e flamurit dhe kushtetutës të vendit në 21 janar, padyshim kanë përmbushur misionin e tyre, kanë përmbushur detyrimet e tyre ligjore”, tha Nishani.
Sipas tij, organizimi dhe veprimtaria për të sulmuar institucionet kushtetuese të vendit në mënyrë të dhunshme ështe nje veprimtari kriminale.
“Kjo çështje është tashmë në hetim nga prokuroria dhe natyrisht është drejtësia ajo, e cila duhet të japë vendimin perfundimtar dhe të gjykojë veprimet e të gjithë aktorëve, të cilët ishin prezent në sulmin që iu bë institucioneve kushtetuese të vendit më 21 janar”, tha ministri Nishani.
Në protestën e opozites në 21 janar 2011, para selisë së Kryeministrisë, humbën jetën katër demonstrues, ndërsa pati shumë të plagosur nga civilët dhe forcat e rendit. Aktualisht çështja është nën hetimin e prokurorisë së Tiranës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 January 2012 16:22