Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 15:00

Tiranë-Gjykata ka rrëzuar për të katërtën herë prokurorinë duke vendosur të lërë në arrest shtëpie Ndrea Prendin, ish komandatin e Gardës së Republikës, i akuzuar për vrasjen e protestuesit Faik Murtaj gjatë protestës së 21 janarit të vitit të kaluar.

Seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë u mbajt pas provave të reja të paraqitura nga prokuroria e cila kërkon që për Ndrea Prendin të vendoset masa e arrestit me burg.

Prokuroria ka çuar çështjen në Gjykatën e Lartë dhe të paktën deri sa kjo e fundit të japë një vendim, Ndrea Prendi do të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpie.

Seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë ka zgjatur rreth 30 minuta sot në Gjykatën e Apelit, ndërsa trupi gjykues u kryesua nga Hysni Demiraj.

E njëjta gjykatë pak ditë më parë la të njëjtën masë në fuqi për Prendin, edhe pas apelimit që prokuroria i bëri vendimit të dhënë nga gjykata e Tiranës.

Ndërkohë gjyqtarja Zeqine Sollaku u perjashtua nga  trupi gjykues i çështjes kundër ish- komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i cili akuzohet për vrasjen e një protestuesi gjatë demonstratës së opozitës para selisë së Kryeministrisë në 21 janar 2011.

Në një seancë që zhvilloi sot, Gjykata e Apelit pranoi kërkesën e mbrojtëse për përjashtimin nga trupi gjykues i kësaj çështjeje të Zegjine Sollakut, bashkëshortes së ish- kryeprokuorit Theodhori Sollaku. Ndërkohë që,  vendin e saj e plotësoi Agron Papajani.

Avokati Genci Gjokutaj, duke kërkuar largimin e Zeqine Sollakut tha se ajo ka papajtueshmëri ligjore që lidhet me detyrën që ka ushtruar më parë bashkëshorti i saj Theodhori Sollaku si Kryeprokuror i Pergjithshëm.

Sipas tij, ka të dhëna për një konflikt mes ish kryeprokurorit Sollaku dhe Ndrea Prendit në vitin 2006 dhe për gjyqtarja Sollaku nuk duhet të gjykojë në këtë proces. (LajmeShqip.com)