Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 12:11

Tiranë- Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pritet të mblidhet të martën pas mesditës për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit tre deputetëve të Partisë Socialiste, Besnik Bare, Tom Doshi dhe Taulant Balla, lidhur me rolin e tyre në ngjarjet e dhunshme të 21 janarit 2011, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga Kuvendi.

Një ditë më parë Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama njoftoi se organi i akuzës i kërkoi parlamentit t’u heqë imunitetin parlamentar tre deputetëve të opozitës, Besnik Bare, Tom Doshi dhe Taulant Balla për atë që ajo e quajti “rol të tyre aktiv gjatë protestës së 21 janarit”.

Sipas rregullores parlamentare (neni 118) kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm.

Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin. Ky i fundit lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve. (LajmeShqip.com)