Lajme Shqip Wednesday, 13 June 2012 15:30

Tiranë – Gjykata e Tiranës është njohur sot me  deklarimet e dëshmitarit te parë të prokurorisë lidhur me çështjen e “21 janarit”.

Dëshmitari i parë i thirrur nga organi i akuzës në seancën e zhvilluar diten e sotme, ishte 25 vjeçari Artes Dylbei, i cili mbeti i plagosur në 21 janar 2011,  gjatë protestës së dhunshme të opozitës para selisë së Kryeministrisë.

Sikurse deklaroi dëshmitari, ai ishte plagosur me armë zjarri, me dy plumba, teksa ndodhej pranë rrugicës që ndan Kryesinë e Kuvendit me kullat binjake. Sipas tij, ai ishte plagosur pak çaste pasi një makinë ka tentuar të hyjë  në oborrin e Kryeministrisë. Referuar dites se ngjarjes, deshmitari, deklaroi se,  ndodhej rastesisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe se  nuk ka mundur të identifikojë dot asnjë nga personat që e kanë qëlluar.

Si të pandehur në kete proces,  janë ish- kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe ish -efektivi i saj, Agim Llupo, me  akuzën e vrasjes si dhe ish -shoferi i Prendit, Margarit Kume, i akuzuar për pengim në zbulimin e të vërtetës. Një seancë më parë, ish -kreu i Gardes së Republikes, Ndrea Prendi,  ka akuzuar prokurorinë se nuk ka bërë hetime, ndersa deklaroi se,  ai dhe grupet e gardisteve qe drejtonte atë dite, kryen vetëm detyrën për mbrojtjen e Kryeministrisë.

Në protestën e dhunshme të opozitës në 21 janar 2011 para selisë së Kryeministrisë,  mbeten të vrarë me armë zjarri katër protestues, ndërsa u plagosen disa të tjerë protestues dhe efektivë të policisë dhe Gardës së Republikës.(LajmeShqip.com)