Lajme Shqip Monday, 23 January 2012 21:38

Prishtinë- Ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj, tha se qeveria do të vazhdojë të punojë në përputhje me vizionin për zhvillim ekonomik të miratuar në prill të vitit 2011 në Bullgari.

Duke folur për sektorët vec e vec, Beqaj, tha se qeveria është duke bërë reforma strukturore në sektorin e energjisë, me qëllim të tërheqjes së investimeve të reja. Ai paralajmëroi hapa konkretë në drejtim të procesit të stërzgjatur të termocentralit “Kosova e re”.

“Ne jemi në një fazë relativisht të mirë, ku me këshilltarin e transaksionit dhe me përgatitjet që janë bërë, shpresojmë që shumë shpejt, brenda shkurtit do ta shpallim ftesën për oferta dhe synojmë që brenda këtij viti ta kemi përmbylljen financiare, ta shpallim fituesin, i cili do të merrte për obligim investimet në Kosovën e re-tha Beqaj”. 

Ministria e zhvillimit ekonomik në agjendë sivjet e ka edhe privatizimin e PTK-së, e njëkohësisht do të angazhohet për kodin shtetëror të telefonit dhe internetit.

Sa i përket privatizimit të distribucionit dhe furnizimit, ministri Beqaj tha se i kanë tërë dokumentet e nevojshme dhe së shpejti do të shpallin fituesin e tenderit. Ai tha se sivjet do të nisë edhe ndërtimi i linjës 400 kilovoltëshe me Shqipërinë, do të bëhen analiza për prodhimin e energjisë së ripërtërishme dhe do të themelohet agjencia për efiçiencë të energjisë.