Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 16:52

Tiranë-Biznesi i ka dhënë hovin kryesor kredisë edhe për vitin 2011. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për biznesin në fund të Dhjetorit arriti vlerën e 389 miliardë lekëve, me një rritje prej 16 miliardë lekësh krahasuar me fundin e muajit Nëntor, ndërkohë që përgjatë gjithë vitit 2011 rritja e kredisë ishte afro 18%.

Në fund të vitit të kaluar, kredia për investime dhe ajo për kapital qarkullues ishin pothuajse në barazpeshë në portofolin e kredisë së bizneseve.

Por rritja më e madhe erdhi nga kredia për kapital qarkullues, që për vitin 2011 u rrit me 19%, ndërsa kredia për investime u rrit me 16.7%.

Të dhënat e kredisë paraqesin një ecuri ndoshta edhe më të mirë se shpresohej për sa i takon investimeve private në ekonomi, megjithatë duket qartë se biznesi ju drejtua më shumë bankave për nevoja likuiditeti.

Sektori më i kredituar të ekonomisë shqiptare ngelet Tregtia me 33% të kredisë për biznesin, e ndjekur nga Ndërtimi me 18% dhe Industria Përpunuese me 15%. Ndër sektorët që njohën rritje të lartë vjetore të kreditimit gjatë vitit 2011 ishin Energjitika dhe Bujqësia.

Kredia për energjitikën u rrit me 57%, çka tregon se sektori bankar i është përgjigjur kërkesës për financime të projekteve konçesionare, por edhe nevojës për të importuar energji, veçanërisht në muajt e fundit të vitit.

Kredia për bujqësinë për vitin 2011 u rrit me 40%, por përsëri zë një peshë mjaft të ulët ndaj totalit të kredisë për biznesin. Ndonëse në nivele më të ulëta, rritje pozitive shënoi edhe kredia për ndërtimin, ndërsa kredia për industrinë nxjerrëse u tkurr me 2.5% krahasuar me një vit më parë. (LajmeShqip.com)