Prishtinë-Pavarësisht faktit se Serbia po vazhdon të mos implementojë marrëveshjet e arritura në Bruksel me Kosovën, serbët e Kosovës tashmë kanë filluar që në një numër më të madh të ndërrojnë targat e vjetra të automjeteve duke u pajisur me targa KS, për të cilat edhe është arritur marrëveshje në Bruksel.
Kështu rreth 2 mijë serbë të Kosovës tashmë janë pajisur me targat KS të lëshuara nga institucionet e Prishtinës, megjithëse vazhdojnë ende në qarkullim targat e strukturave paralele.
Siç raporton RTK, referuar të dhënave të siguruara nga Qendra për regjistrimin e automjeteve, që nga 1 nëntori kur është marrë vendimi për prodhimin e targave KS kjo qendër ka lëshuar 2916 tabela, ku 1864 prej tyre janë lëshuar për serbët dhe 1052 për qytetarët e komuniteteve tjera.
Ndërsa, zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës nuk kanë dhënë një afat të qartë kohor se kur pritet të hiqen nga qarkullimi plotësisht të gjitha target e lëshuara më parë nga strukturat paralele serbe në Kosovë.
Në territorin e Kosovës vazhdojnë të qarkullojnë ende automjetet me targa të lëshuara nga strukturat paralele deri në një vendim të cilin do ta marrin institucionet e Kosovës për të konfiskuar të gjitha targat të cilat janë lëshuar ngaSerbia.
Friday, 16 December 2011 15:30