Lajme Shqip Thursday, 19 January 2012 20:00

Tiranë – Nga 198 gjoba të vendosura në total nga Task Force për zbatimin e ligjit antiduhan, 31 prej tyre janë paguar vullnetarisht, tha sot Roland Shuperka, kryetar i Task-Force për zbatimin e ligjit antiduhan dhe mbrojtjen e të miturve nga konsumimi i alkoolit. Sipas tij, 122 gjoba kanë dalë titull ekzekutiv nga gjykatat e rrethit dhe po vilen nga përmbarimi privat, i cili brenda 10 ditësh bën ekzekutimin e këtyre gjobave me vlerë 91 mijë. Pjesa tjetër e gjobave, rreth 45 të tilla, pritet t’i shkojnë Gjykatës së Rrethit Tiranë për t’u kthyer në urdhër ekzekutiv.

Shuperka tha se ka një përmirësim të situatës së duhanpirjes, janë vendosur logo nëpër bare e intitucione, si dhe ka një sensibilizim. “Ajo metodologji që përdori Ministria e Shëndetësore në luftën kundër duhanit doli me sukses. Gjobat me vlerë 91 mijë lekë po vilen nga përmbarimi privat”, tha Shuperka.

Duke u ndalur tek kontrolli nëpër institucione, Shuperka tha se “nuk po ruajmë zyrtarët nëpër institucione, por jemi vigjilentë që aty ku kemi informacion të shkojmë befas”. Ai tha se objekt kontrolli kanë qenë institucione të ndryshme shtetërore, si Ministrinë e Transporteve, atë të Financave, të Mjedisit, që ka dalë korrekt në zbatimin e ligjit, ashtu sikurse do te ushtrohet kontroll edhe ne institucionet e tjera. Megjithatë, Shuperka tha se ka informacione për pirje të duhanit në lokalet e ministrive, në ndryshim nga zyrat e tyre.

Shuperka ka sjelle si shembull pozitiv ministrine e Transporteve, duke theksuar se ky dikaster u gjet që zbatonte ligjin, edhe pse në zyrën e ministrit Sokol Olldashi nuk e ushtrua kontroll, për shkak se ai nuk gjendej aty. Megjithatë, Shuperka tha se “vetë ministri do të lërë duhanpirjen, pasi është ndërgjegjësuar për dëmin që shkakton ajo”.

Nga ana tjetër, ai u bëri thirrje pronarëve të lokaleve të zbatojnë ligjin antiduhan. “Nuk kemi dëshirë të vendosim gjoba, por të zbatohet ligji. Ju bëjmë thirrje të zbatohet ligji”, tha Shuperka.