Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të premten buxhetin e partive politike për vitin 2012, që kap shifrën e 189 milion lekëve.
Në zbatim të ligjit “Për partitë politike”, i miratuar një vit më parë, shuma e caktuar nga buxheti i shtetit ndahet në këtë mënyrë: 70 % sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare; 20 % në mënyrë të barabartë ndërmjet partive parlamentare; 10 % sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 % të votave në shkallë vendi.
Sipas ligjit, shpërndarja e fondeve vjetore për partitë mbështetet në rezultatin e tyre në zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 qershorit 2009, ku Partia Demokratike fitoi 68 vende në Kuvend; Partia Socialiste 65 vende, Lëvizja Socialiste për Integrim 4 vende, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Republikane dhe Partia Drejtësi dhe Integrim nga një vend secila.
Në bazë të këtij rezultati PD me 40.85% të vendeve në parlament përfiton 78.9 milion lekë nga buxheti i mësipërm; PS me 40.18% të vendeve përfiton 75.2 milion lekë: LSI me 4.85% i takojnë 11 milion lekë; PDIU 8.2 milion lekë; PRe me 7.6 milion lekë; PBDNJ përfiton 7.4 milion lekë.
Friday, 27 January 2012 20:30