Lajme Shqip Friday, 06 January 2012 19:00

Tiranë – Dita e sotme shënon 130-vjetorin e lindjes së Fan Nolit, i cili kujtohet si i pari që mbajti meshën në gjuhën shqipe në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, për veprat e tij, përkthimet, publicistikën, si politikan, diplomat, etj.

Fan Noli lindi më 6 janar 1882 në Ibrik Tepe të Turqisë. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit. Ai vdiq në Florida në mars të vitit 1965 në moshën 83 vjeçare. Në kuadër të këtij përvjetori, busti i tij, rreth 2 m e 80 cm, i realizuar në bronz nga Andrea Demçe, do të vendoset sot në qytetin e tij të lindjes, Ibrik Tepe.

Noli si politikan

Noli erdhi në Shqipëri në vitet 1913 dhe 1920. Ai u bë figurë udhëheqëse në luftën për vendosjen e rendit demokratik. Me fitoren e Revolucionit të Qershorit më 17 qershor 1924 Fan Noli u vu në krye të qeverisë së Shqipërisë. Gjatë gjashtë muajve, ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua të përballonte problemet politike dhe ekonomike të shtetit të ri shqiptar, të cilat ishin mjaft të rënduara. “Por programi i tij për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, doli se qe tepër i nxituar në një vend pa tradita parlamentare”, mendojnë edhe sot një pjesë e historianëve. Me rrëzimin e qeverisë së tij Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria.

Noli si njeriu i letrave

Fan Noli iu përkushtua gazetarisë dhe publicistikës, duke drejtuar me ndërprerje gazetën “Dielli”, themeloi dhe drejtoi gazetën “Republika”. Ai është një ndër mjeshtrit e poezisë shqiptare, lirikat e tij ngërthejnë përgjithësime të rëndësishme artistike. Fan Noli i kushtoi vëmëndje të posaçme edhe studimeve historike. Në këtë fushë interesat e tij u përqëndruan rreth jetës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Njeri me interesa të gjera krijuese ai u mor edhe me muzikologji. Monografia e tij “Bethoveni dhe Revolucioni francez” në gjuhën angleze, u çmua lart nga specialistë dhe personalitete të shquara. Fan Noli la përkthime mjeshtërore të disa veprave të shkrimtarëve të shquar përparimtarë botëror, si Shekspiri, Ibseni, Servantesi etj. Noli shkoi në SHBA ku luajti rol në bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës “Kombi”. Në këto vite Noli krijoi vargjet e para dhe nisi edhe shqipërimet.

Noli prift

Rolin kryesor Noli e luajti në pozicionin e tij si prift. Ai e mori këtë detyrë në moshën 27 vjeçare. Si prift ortodoks për herë të parë ai mbajti liturgji në gjuhën shqipe në sallën “Knights of Honor” në Boston. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Në vitin 1913 Fan Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në këtë vend në prani të princit Vilhelm Vid.