Tiranë-Viti 2011, ka qenë një vit me ecuri pozitive për policinë Shtetit. Gjatë analizës vjetore të këtij institucioni, Hysni Burgaj, Drejtori i Policisë së Shtetit e vlerësoi vitin që sapo kemi mbyllur, si një vit të ngarkuar me problematika të shumta, por që policia e Shtetit i kaloi me sukses ato.
“Për këtë periudhë janë evidencuar 529 vepra penale kundër personit, dhe janë zbuluar 481 ose 91% e tyre. Krahasuar me një vit më parë, janë evidencuar 93 vepra penale kundër personit, më pak” theksoi Burgaj, duke shtuar se janë evidentuar 124 vrasje dhe janë zbuluar 106 prej tyre ose 85%, duke shënuar në këtë mënyrë një rritje të forcës zbuluese me 3% në krahasim me vitin e kaluar.
Nga 106 vrasje të zbuluara, tha ai, “70 prej tyre kanë ndodhur për motive të dobëta, 13 për motive pasurore, 5 për motiv gjakmarrje dhe 13 për motive të tjera”.
Ai theksoi se “për sa i takon luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korupsionit, gjatë vitit të kaluar janë evidencuar 653 vepra penale në fushën e drogës.
Krahasuar me 2010 është rritur; 22 % numri i rasteve të kapjeve të lëndëve narkotike; 19 % numri i autorëve të goditur; 16 % numri i autoreve të arrestuar apo ndaluar si dhe është ulur me 39 % numri i autorëve të larguar nga vendi i ngjarjes.
Gjithashtu, është rritur sasia e lëndëve narkotike të sekuestruar në krahasim me vitin e kaluar e konkretisht 38% më shumë për heroinën dhe 5% më shumë për marijuanën”.
Në fushën e trafiqeve të paligjshme, vijoi Burgaj, “janë referuar dhe hetuar 661 vepra penale. Krahasuar me vitin 2010, rezulton një rritje e efikasitetit të luftës kundër trafiqeve të paligjshme me 41% vepra penale me shumë”.
Kreu i policisë së shtetit, Burgaj, evidentoi në fund të fjalës së tij, si sukses menaxhimin e integruar të kufijve, duke nënvizuar se fluksi në hyrje dalje të vendit llogaritet rrerth 1 milion shtetas më shumë se në vitin 2010. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 January 2012 07:30