Lajme Shqip Thursday, 12 January 2012 17:00

Janë 11 objekte që kanë marrë lejet nga Bashkia e Tiranës për të përfunduar procesin e hipotekimit pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, gjatë një takimi që zhvilloi me Shoqatën e Ndërtuesve, u shpreh se, janë 385 familjarë që përfitojnë dhe se së shpejti do të jepen lejet edhe për 25 objekte të tjera, për rreth 1000 familjarë.

Basha kërkoi angazhimin e të gjithë ndërtuesve për të përfunduar këtë proces. Sipas tij, janë identifikuar 40 objekte të tjera, që kanë mangësi dokumentacioni nga ana e ndërtuesve.

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi, u shpreh se, nevojitet një bashkëpunim më i gjerë privat-publik në sektorin e ndërtimit. Ndërsa, kryetari i Dhomës së Tregtisë në Tiranë, Nikolin Jaka, tha se, përfundimi i procesit të hipotekimit do të ndikojë pozitivisht në ekonominë e qytetit.

Vlera totale e banesave të pahipotekuara llogaritet në 700 milionë euro, para që mbahen në formë të ngurtësuar për shkak të mungesës së dokumentacionit.