Lajme Shqip Friday, 01 June 2012 10:01

Tiranë – Nëpërmjet një deklarate për mediat, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), shprehet se “sot, në Ditën e Fëmijëve, kur thuajse të gjithë politikanët, zyrtarët publikë dhe partitë politike, do të organizojnë festa dhe pritje anembanë vendit, si në një shfaqje të përvitshme të manipulimit publik në emër të fëmijëve, ne kërkojmë që ata në vend të festimeve të deklarojnë se çfarë kanë bërë për fëmijët dhe si i kanë mbrojtur të drejtat e tyre”.”Sot fëmijët anembanë Shqipërisë, sidomos fëmijët e varfër, fëmijët që jetojnë me ndihmë ekonomike, që janë të braktisur e të neglizhuar nga familjet e tyre, fëmijët që për të mbijetuar lypin, vjedhin apo shesin trupin e tyre, duan të dinë se kush i mbron të drejtat e tyre”.

Nëpërmjet kësaj deklarate CRCA  parashtron një sërë çështjesh të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë në mirëqënien fizike dhe psikologjike të fëmijëve, për të cilat instancat shtetërore, zyrtarët publik dhe komuniteti në tërësi, duhet të marrin masat e nevojshme.
“Legjilacioni shqiptar paraqet mangësi serioze për mbrojtjen e fëmijëve nga pornografia. Pornografia e fëmijëve, përfshi edhe atë në internet, është një fenomen i ri në Shqipëri dhe kjo kërkon përmirësimin serioz të kuadrit ligjor. Çdo vit, numri i përdoruesve të Internetit rritet me 300 përqind, e kësisoj rriten edhe rreziqet e mundshme nga përdorimi jo në mënyrë të sigurt të internetit. Gjatë vitit 2011 pranë ALO 116 janë referuar 16 raste ku fëmijët janë ndeshur me postime të pahijshme, me kërcënime, ofendime, shantazhe dhe ftesa për tu bërë pjesë të faqeve me përmbatje pornografike. Dita ditës numri i rasteve të raportuara shtohet, tregues ky që fëmijët shqiptare po ekspozohen cdo ditë e më tepër ndaj pornografisë, sidomos asaj në internet. Dështimi i Parlamentit Shqiptar për adresimin e këtij fenomeni në ndryshimet e fundit të Kodit Penal, vetëm ka rritur mundësitë që fëmijët të jenë akoma më të rrezikuar për t’u bërë viktima të shfrytëzimit për qëllime seksuale”, thuhet në në deklaratë.

Gjithashtu, në njoftimin për mediat sqarohet se “fëmijët në Shqipëri kanë qenë, janë dhe vazhdojnë të jenë të pambrojtur nga pedofilia. Rasti i djalit 9-vjeçar nga Korça, i cili, sipas raporteve në media, u shfrytëzua nga daja i tij për qëllime përfitimi duke ofruar shërbime seksuale, është një tregues i frikshëm se mirëqenia e fëmijëve rrezikohet seriozisht nga të rriturit dhe njëkohësisht ngre dyshime mbi ekzistencën e një rrjeti të organizuar pedofilie në vend. Deri më sot organi i Prokurorisë ka heshtur duke mos dhënë asnjë informacion mbi përmasat dhe personat e përfshirë në këtë fenomen”.

CRCA shton se “ALO 116 000 gjatë vitit 2011 ka rregjistruar 3 rastë të fëmijeve të humbur, 2 raste janë gjetur dhe 1 rast vazhdojnë të mbetet i hapur. Shqetësimi më i madh që ngre ALO 116 ka të bëjë me faktin që fëmijët dhe adoleshentët largimin nga shtëpia e shikojnë si zgjidhje për problemet që ata kanë me familjarët e tyre”.Gjithashtu në deklaratë saktësohet se “keqtrajtimi fizik dhe psikologjik i fëmijëve në shkollë dhe në familje vazhdon të mbetet ndër shkeljet kryesore të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, për shkak të numrit të lartë të fëmijëve të prekur nga dhuna. Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë pa një ligj që ndalon përdorimin e dhunës ndaj fëmijëve”.

Sipas CRCA-së, “është detyrim ligjor i të gjithë institucioneve dhe aktorëve përgjegjës të marrin masa serioze dhe të menjëhershme për parandalimin e këtyre fenomeneve, pasi pasojat që ato prodhojnë rrezikojnë zhvillimin e fëmijëve sot dhe brezit të ardhshëm nesër”. “Sot më 1 Qershor, në Ditën e Fëmijëve, ne kërkojmë që premtimet të kthehen në veprime konkretë për arritjen e të drejtave dhe mundësive të barabarta për çdo fëmijë, pavarësisht gjendjes ekonomike dhe sociale të tyre dhe ku të gjithë së bashku të vendosim në prioritetet kryesore të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore fëmijët dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre”, përfundon deklarata për mediat. (LajmeShqip.com)