Lajme Shqip Thursday, 14 June 2012 14:35

Prishtinë – Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore e policisë së Kosovës ka arrestuar katër persona nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Trafikim në njerëz”. Arrestimi vjen pas shumë përpjekjeve të policisë që në vazhdimësi të hetohen rastet  e trafikimit me qenie njerëzore dhe dukuria e prostitucionit. Sipas një komunikate të policisë, aksioni i arrestimit është realizuar me emrin e koduar  “Rrethi” dhe është kryer në rajonin e Prishtinës.

Nga hetimet e zhvilluara nga hetuesit e kësaj drejtorie merret vesh se të dyshuarit S.P, M.Q, F.A, dhe U.P, tanimë të arrestuar ,janë marrë në vazhdimësi me veprimtari prostitucioni duke ndërmjetësuar shërbime seksuale për persona të ndryshëm.

Të njëjtit kanë shantazhuar viktimën e mitur, e identifikuar nga policia në këtë rast, e cila është intervistuar në prani të mbrojtësit të viktimave dhe zyrtarëve të Qendrës për punë sociale.

Ky operacion policor është realizuar me autorizimin e prokurorit përkatës, kurse ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë. (LajmeShqip.com)