Filmi i shumëpërfolur “The Paperboy” e gjeti rrugën e tij në Festivalin e Filmit që po mbahet në Kanë. Aktorët protagonistë të tij, Nicole Kidman, Zac Efron dhe Matthew McConaughey i janë bashkuar regjisorit Lee Daniels në premierën e filmit në Francë. Ky rikthim i aktores Kidman është përfolur jo pak, edhe për faktin se ajo interpreton rolin e një kukulle seksi në filmin dramë, i cili është një përshtatje e novelës së Pete Dexter.
Një ndër skenat e filmit e cila është përfolur jo pak, madje është bërë objekt kritikash, është një skenë seksi e vendosur në burg, në një prej dhomave të takimeve. Prandaj edhe gjatë konferencës për shtyp, aktorja është pyetur nëse kjo ka qenë një skenë e sikletshme për të, por përgjigja ka qenë e njëjtë me të gjithë rastet e tjera të aktores:
“Unë e di mirë që shumë regjisorë, ku bën pjesë edhe Lee Daniels, arrijnë të nxjerrin në pah anën më të mirë të aktorëve që përzgjedhin për të interpretuar në filmat e tyre. Nuk jam ndjerë në siklet, përkundrazi jam ndjerë shumë komode në këtë film kur e kam realizuar. Nuk e kam parë ende në ekran filmin dhe mbase atëherë, kur ta shoh do të ndjehem në siklet, por ama kjo është puna ime dhe unë jap gjithçka i duhet kësaj pune, tërë përkushtimin tim, nuk e censuroj veten, nuk vë asnjëherë veten në pozicionin që të gjykoj unë se si ndjehem në karakterin e personazhit që interpretoj. Unë jam aty për të portretizuar një të vërtetë”.
Nga ana tjetër, ky është një film i cili është prodhuar me buxhet minimal, prandaj edhe për protagonistët ka pasur kufizime në përfitime. Aktorja Kidman ka pohuar se që në nisje, kur ju propozua roli, regjisori i ka thënë: “Nuk kam para, të duhet të krehësh vet flokët dhe të bësh makijazhin”.
Dhe Nicole e ka pranuar pa asnjë kundërshtim, duke u kthyer në dhomën e saj dhe nxjerrë nga të gjitha skutat gjithçka çfarë përdorte më herët, me qëllim që t’i kishte me vete në sheshin e xhirimit.
Për Nicolën ky është një rol rikthimi për të në sheshin e xhirimeve pas një periudhe të gjatë pushimi.
Festivali i Filmit, që prej ditësh po mbahet në Kanë, do të kurorëzohet me mbrëmjen finale të ndarjes së çmimeve më 27 Maj. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 May 2012 14:00 