Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 19:58

Prishtinë- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi tha sot se suksesi që ka arritur filmi i metrazhit të shkurtër “Kthimi”, në festivalin e filmit “Sundance” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është një arritje shumë e madhe për kinematografinë kosovare, si dhe një frymëzim për film-bërësit dhe institucionet që të rritet angazhimi në kinematografi.

Ai priti sot në një takim ekipin realizues të këtij filmi, regjisoren Blerta Zeqiri, skenaristin Shefqet Gjocaj, producentin Blerim Gjoci si dhe drejtoreshën e fotografisë Sevdije Kastrati.

Duke i uruar për suksesin, ministri tha se për të ka qenë një nder që ka pasur rastin te jetë pranë tyre për t’iu ndihmuar në arritjen e këtij suksesi.

“Ky është suksesi më i madh i filmit shqip deri më tash. Ajo që duhet ta them është se jam i nderuar që Ministria e Kulturës ka pasur mundësi ta mbështesë këtë film në të gjitha fazat. Kjo është një shtytje e madhe dhe një frymëzim jo vetëm për film-bërësit por edhe neve si institucione që të vazhdojmë të mbështesim krijimtarinë në fushën e kinematografisë”, ka deklaruar ministri në konferencën për shtyp pas takimit.

Ai tha se qasja e institucioneve ndaj filmit, por edhe kulturës në përgjithësi, tashmë është shumë më ndryshe dhe përkrahja është rritur dukshëm.

Regjisorja e filmit “Kthimi”, Blerta Zeqiri tha se për ta ka qenë shumë domethënëse përkrahja që kanë marrë nga Ministria e Kulturës.

“Falënderoj shumë ministrin për mirënjohjen sepse është më rëndësi mbështetja institucionale që tash duket se nuk do mungojë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, producenti i filmit, Blerim Gjoci u shpreh se një sukses kaq i madh i këtij filmi është një sukses për të gjithë krijuesit, institucionet dhe artdashësit. “Suksesi i këtij filmi është një sukses i të gjithëve”, ka thënë Gjoci.

“Kthimi” në “Sundance” ka marrë çmimin Filmi më i Mirë Ndërkombëtar. Kësisoj, filmit shqip i hapet mundësia për të konkurruar për çmimin prestigjioz të “Oscar”-it.