Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 11:32

Prishtinë (PLOTESUAR 21 Mars, 16:15) Ndërpritet arresti i shtëpisë për ish ministrin Fatmir Limaj dhe masa e paraburgimit për 9 ish bashkëluftëtarët e tij të akuzuar në rastin Kleçka, pas vendimit të gjykatës për të shpallur të pavlefshme deklaratat e dëshmitarit X. Kështu të 10 të akuzuarit e këtij procesi do të mbrohen në liri në vazhdim të procesit.

 ****************************

Prishtinë-Gjykata e Qarkut sapo ka vendosur që të shpall të papranueshme të gjitha deklaratat dhe ditarët e dëshmitarit Agim Zogaj i njohur si dëshmitari “X”, mbi të cilën është ngritur dhe padia ndaj dhjetë ish-lufëtarëve të UÇK-së, mes të cilëve edhe ish ministri Fatmir Limaj në procesin e njohur si rasti Kleçka.

Trupi gjykues për dy javë ka analizuar argumentet kundër pranimit të dëshmive të Agim Zogajt dhe pro pranimit nga ana e prokurorit Maorizio Salustro.

Hedhja poshtë e këtyre dëshmive mbart rrezikun që procesi të dështojë ende pa nisur me dëshmiminë e dëshmitarëve që janë në numër të madh. Si pasojë e këtyre dëshmive, deputeti Fatmir Limaj dhe shokët e tij të luftës po të përballen me një gjykim dhe akuza për krime lufte që akuzohen se i kanë kryer në Kleçkë 13 vjet më parë.

Sipas burimeve nga Gjykata dëshmitarët më të rëndësishëm do të jenë dëshmitari Y dhe A, por ka edhe dëshmitarë tjerë po kaq të rëndësishëm në këtë proces. Gjykata ka caktuar numrin më të madh të seancave. Pritet që të mbahet mbi 60 seanca gjyqësore që mund të zgjasin procesin deri kah mesi i verës.

Limaj po gjykohet bazuar në dëshmitë e Agim Zogajt i cili u gjet i vdekur në shtator në Gjermani ku kishte bërë vetëvrasje. Por Zogaj ka vdekur në fund të muajit shtator të vitit të kaluar. Avokatët kanë kundërshtuar dëshmitë dhe provat e tij me arsyetimin se janë të papranueshme sepse janë marrë në kohën sa Zogaj ishte i dyshuar e jo në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues.

Përveç kësaj sipas mbrojtjes, Zogaj nuk mund të shpallet dëshmitar për vepra të dënueshme mbi 10 vjet burg. Akuza përfaqësohet nga prokurori italian Maorzio Salustro. Bashkë me Limajn janë të akuzuar edhe Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Sabit Shala, Refki Mazfreku, Arben Krasniqi, Shaban Shala, Behlul Limaj dhe Besim Shurdhaj. Salustro i akuzon ata me akuza për krime lufte të kryera në fshatin Kleçkë në vitin 1999 në një burg të UÇK-së. (LajmeShqip.com)