Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 16:23

Prishtinë-Kreu i EULEX-it, Ksavier De Marnjak, ka njoftuar se do te përfundojë mandatin e tij më 15 qershor të këtij viti, datë në të cilën nis një faze e re per misionin europian në Kosovë. De Marnhac, ka thënë se mandati i tij është i lidhur me atë të misionit.

“Siç jeni në dijeni, në fillim të kësaj vere EULEX-i do të hyjë në një fazë të re, pas aprovimit së fundi të Rishikimit Strategjik të Misionit. Kjo do të ketë si rezultat qëndrimin e rishikuar të Misionit dhe do të paraqesë ndryshime të konsiderueshme pas skadimit të mandatit aktual më 15 qershor 2012.  Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton është pajtuar që mandati im, i cili është i lidhur me Misionin, të përfundojë në të njëjtën kohë.  Unë e mbështes këtë vendim plotësisht”, ka thënë de Marnhac në një komunikatë për media.

Ai ka shtuar më tej se ka qenë nder i madh për të që ta përfaqësojë misionin më të madh të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, duke shtuar se ka punuar me përkushtim të madh. Gjithashtu, ai ka thënë se viti i kaluar ishte sfidues për misionin EULEX, por ka thënë se ky mision ishte në gjendje ta përballoj atë.

“Viti i kaluar ka qenë vërtetë sfidues, por po ashtu ka treguar që EULEX-i ishte në gjendje t’i përshtatej kësaj sfide.  Në ndërkohë, ka treguar që Kosova është në rrugën e duhur, përderisa institucionet dhe shoqëria e saj vazhdojnë t’i aspirojnë parimet dhe vlerat të cilat i përkrahë BE-ja”, Xavier de Marnhac. Ai beson që EULEX-i është në pozitë më të mirë sot t’i ndihmojë Kosovës në rrugën e saj, duke iu falënderuar hapave të rëndësishëm së fundi të cilët ata i kanë mbështetur. (LajmeShqip.com)