Shkodër – Trupa e Teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës, nën regjinë e Arian Çuliqit dhe Fatbardh Smajës, vuri mbrëmë në skenë komedinë alternative “Bigbrother Shkodra”, e cila që në natën e parë të saj tërhoqi interesimin e artdashësve shkodranë. Sipas drejtorit organizativ të shfaqjes, njëkohësisht edhe drejtor i këtij institucioni, Edmond Angoni, komedia në fjalë është aktuale, e freskët dhe e preferuar nga publiku shkodran, për të cilën flet jo vetëm numri i madh i spektatorëve në natën e parë, por edhe ajo që biletat për të pesë ditët e programuara për t’u shfaqur janë shitur tërësisht.
Interpretimi i aktorëve të mirënjohur të humorit Zyliha Miloti e Zef Deda, Drande Xhaj e Besnik Çinari, të gërshëtuar nga regjia me aktorët e mirënjohur të dramës Merita Smaja dhe Agron Dizdari, si dhe atyre më të rinj, si Anton Krosaj, Muhamet Çekini dhe Bujar Ademovi, me batutat e tyre të vazhdueshme plot humor kanë krijuar një atmosfere të ngrohtë tek publiku.
E veçanta e kësaj komedie, ishte edhe ndërthurja e subjektit të një reality shoë të improvizuar në skenën e teatrit “Migjeni”, me interpretimet e këngëtarëve Mukades Çanga, Hajro Pepa, Dorina Garuci, Rezarta Smaja, Leonard Guga, etj.
|
|
Tuesday, 17 May 2011 14:30