Lajme Shqip Friday, 08 June 2012 09:15

Felix Guirola një shtetas kubanes ka preferuar që në mes të makinave klasike të fusë edhe biçikletën e tij. Por biçikleta që ai përdor nuk është si gjithë të tjerat, pasi i jep atij mundësinë ta shohë botë nga sipër. Biçikleta e tij ka një lartësi prej 4 metrash dhe ai e drejton mjaft mirë.

“Ndjehem shumë mirë, atje sipër edhe pse kam pak marramendje, por relaksohem kur mund të shoh nga aq lartë. Të ngjallet një frymë emocionuese dhe unë dua ta shijoj atë,” shprehet Guirola, i cili është 48 vjeç dhe në nëntor është transferuar nga krahina e Ciego de Avilakra, në Havana.

Diçka tjetër që e bën interesant udhëtimin e tij me biçikletën gjigante, është fakti që ai nuk përdor asnjë masë mbrojtje në rast se rrëzohet. Ndërsa vetë ai shprehet se i zbaton me përpikëri rregullat e qarkullimit dhe deri tani nuk është rrëzuar asnjëherë.

Kjo biçikletë nuk ka qenë krijimi i tij i parë, pasi prodhimet e tij kanë filluar që në vitin 1983, ku biçikleta e parë ka qenë 1.6 metra, e ndjekur nga një tjetër e cila është dhe më e larta me 5.5 metra, që u përdor gjatë karnavaleve në zonën ku ai jetonte.