Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 18:40

Tiranë – Hyrja në sezonin e dimrit dhe ndryshimi i herëpashershëm i temperaturave kanë ndikuar në rritjen e numrit të të prekurve nga virozat e stinës dhe përhapjen e tyre. Ndërkohë, virusi i gripit sezonal aktualisht qarkullon në vend, ndërsa janë shtuar rastet me infeksione respiratore të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se numri i të prekurve nga virozat gripale ka arritur në rreth 14 mijë raste në javë, ku numrin më të madh e përbëjnë infeksionet e rrugëve të sipërme. Grupmoshat më të prekura janë fëmijët, sqaron për ATSH-në drejtori i Përgjithshëm i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas tij, kemi kaluar pragun e epidemisë, megjithatë qarkullimi i virusit është brenda aktivitetit të tij normal.

Ndërkohë të dhënat nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë flasin se pranë kësaj qendre paraqiten çdo ditë rreth 420 raste me simptoma të viruseve stinore. Rreth 300 fëmijë në ditë paraqiten pranë Urgjencës së Pediatrisë, ndërsa mjekët pediatër thonë se viroza e kësaj stine shoqërohet me temperaturë, kollë, të vjella dhe diarre. Por kujdes, sipas mjekëve, duhet të bëjnë dhe të sëmurët kronikë, të cilët rekomandohet të marrin vaksinën. Nga të dhënat e QSUT bëhet e ditur se në shërbimin kardiak paraqiten çdo ditë rreth 60 pacientë me viroza stinore dhe po kaq në shërbimin e Infektivit.

Nisur nga qarkullimi i virusit në vend, strukturat shëndetësore apelojnë për aplikimin e vaksinës antigrip, veçanërisht grupet më në rrisk, si fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë, etj.

Sinoptikanët parashikojnë ndërkohë ulje të temperaturave ditët e fundit të kësaj jave. Dy javët e fundit të vitit pritet të përfshihen nga mot i paqëndrueshëm. Sipas sinoptikanëve, luhatjet e temperaturave do të vijojnë edhe pse moti nuk do të karakterizohet nga i ftohti i dimrit.