Lajme Shqip Monday, 03 September 2012 16:50

Tre gola dhe statusi i heroit te Mançester Junajtid pas ndeshjes ndaj Sauthempton nuk e kanë kënaqur Robin Van Persin, i cili në përfundimin e takimit u ka kërkuar falje tifozëve të skuadrës. Futbollisti i dha suksesin ekipit të tij me golin e 100 personal në kampionatin anglez, gjatë ndeshjes së 1000 të Aleks Ferguson në drejtimin e skuadrës. Por ai nuk arrin të harrojë se si humbi penalltinë e minutës së 68-të, kur rezultati ishte 2-1 për ekipin kundërshtar.

“Nuk e di se çfarë po mendoja në ato momente, u nisa ta gjuaja me forcë siç bëj zakonisht, por në sekondën e fundit ndryshova mendje. Ndoshta e gjuajti vëllai im atë penallti, jo unë. Thjesht nuk ishte gjuajtja e duhur dhe jam shumë i zhgënyer për këtë situatë. Kërkoj gjithmonë një standard të caktuar nga vetja dhe kur je në disavantazh 2-1 nuk mund të humbasësh një penallti të tillë”.

“Jam unë personi që duhet fajësuar. Diçka shkoi keq dhe më duhet të punoj më shumë që të mos përsëritet. Isha shumë i mërzitur dhe fatmirësisht barazuam dhe pastaj shënuam golin e fitores”, tha lojtari pas përfundimit të takimit.

Megjithatë, Aleks Ferguson e ka mbrojtur atë duke vlerësuar faktin se gjeti tre herë rrugën e rrjetës. “Në një ndeshje të tillë, ka shumë rëndësi të shënosh gola dhe Van Persi arriti të shënonte dy shumë të rëndësishëm në fund të ndeshjes. Ai ka shënuar katër gola në dy ndeshje si titullar dhe me kalmin e kohës, besoj se do të përmirësohet më shumë”, tha trajneri i “djajve të kuq”. (LajmeShqip.com)