Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 15:48

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kërkoi të martën nga forcat politike të arrijnë konsensusin për heqjen me ligj të imunitetit të zyrtarëve të lartë.

Gjatë një takimi me Nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Italisë, Michele Vietti, Presidenti theksoi se nevojitet shprehja e qartë e vullneteve politike të konkretizuara me vendimmarrje në Parlament për të çuar përpara dhe për të zbatuar plotësisht e me sukses reformën në gjyqësor.

“Kjo mund të materializohet me gjetjen e konsensusit për miratimin e Gjykatës Administrative, për heqjen me ligj të imunitetit të zyrtarëve të lartë, si dhe për miratimin e kandidaturave cilësore në Gjykatën Kushtetuese e në atë të Lartë, të bashkërenduara edhe me ndëshkimin e korrupsionit në radhët e gjyqtarëve. Arritjet e këtyre objektivave, të shoqëruara dhe me konsolidimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese e ligjore, do të rikthenin besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe do të mundësonin edhe plotësimin e kritereve të kërkuara për përmbushjen e aspiratës së shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, theksoi Presidenti Topi.

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Italisë, Michele Vietti, theksoi domosdoshmërinë e kalimit nga demagogjia në vepra dhe ligje konkrete. Vietti nënvizoi se “për të pasur një drejtësi funksionale nevojitet ndarja e qartë e pushteteve dhe vullneti dhe bashkëpunimi i të gjithëve”.

Në këtë pikë, ai vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe të vazhdimësisë së projekteve të bashkëpunimit ligjor, siç është ai i misionit ‘EURALIUS 4’ për të realizuar përsosjen dhe pjekurinë e një sistemi gjyqësor mirëfunksionues dhe një shteti të së drejtës në Shqipëri sipas standardeve evropiane.