Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 09:19

Prishtinë – Tenori kosovar, Riad Ymeri, është përzgjedhur që të interpretojë rolin kryesor në shfaqjen operistike “Flauti magjik” të Mozartit, që do të vihet në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit të Shqipërisë. Ymeri do të veshë kostumin e Taminos nga vepra e njohur e kompozitorit gjerman. Premiera e saj do të jepet në javën e parë të tetorit. Me të Teatri i Operës dhe Baletit do të hapë sezonin e ri. Njëkohësisht kjo operë do të jetë në “repertorin” e Ditët e Kulturës Gjermane në Shqipëri.

Ymeri me rolin e Taminos debuton në skenën shqiptare të TOB- it.

“Por rëndësia e kësaj është se do të interpretojë rolin kryesor”, ka thënë Ymeri. Ai e ka vlerësuar “Flautin magjik” si njërën ndër veprat më të rëndësishme të muzikës operistike dhe klasike.

“Ajo luhet në të gjithë teatrot e rëndësishëm të Evropës”, ka thënë Ymeri, teksa është ndalur në përmbajtjen e saj.

“Me këtë operë Mozarti ka dashur të lërë testament jetën e tij, por edhe përshkrimin për problemet që njerëzit kanë në këtë glob. Princi i bukur vazhdon aventurën e tij të udhëtojë i çarmatosur dhe gjatë saj ka përballje të ndryshme”, ka thënë ai.

Roli i “Taminos” Ymerit i është besuar në një audicion që kishte mbajtur Teatri i Operës dhe Baletit në muajin qershor.

“Kam qenë i vetmi nga Kosova, e në garë kanë qenë kryesisht interpretuesit e Operës së Tiranës”, ka thënë Ymeri.

Ai ka dalë i pari në një garë që është vlerësuar nga Zhani Ciko, Edit Mihajli dhe regjisori gjerman Stefan Neugenbauer, që do të përgatisë shfaqjen ku barrën kryesore e mban tenori i njohur kosovar. Ymeri ka treguar se edhe dirigjenti i kësaj shfaqjeje gjithashtu do të jetë nga Gjermania. Pos debutimin në skenën e TKOB-it, për Ymerin është hera e parë që interpreton të plotë “Flautin magjik”.

“Më parë kam interpretuar vetëm arie të kësaj opere”, ka thënë Ymeri. Qysh për audicion ai thotë se e ka pasur të gatshëm rolin, por që shtatori do të jetë muaji që bashkë me pjesën tjetër të Trupës së Operës së Tiranës do të nisin përgatitjet për shfaqje.

Ai do të ketë kontratë për interpretimin e katër shfaqjeve të “Flautit magjik” në Operën e Tiranës.