Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 20:15

Shkup – Një pjesë e zyrtarëve të Demokracisë së Re (DR), heshtazi po largohen, një pjesë tjetër distancohen nga ajo, në pritje të kongresit të pasrtisë që duhet të mbahet brenda.

Në grupin e parë bëjnë pjesë ish-nënkryetarja e DR-së, Flora Kadriu, ndërsa në të dytin zëdhënësi dhe ish-shefi i Shtabit Zgjedhor të partisë Arianit Hoxha, bëjnë të ditur burime të Portalit Lajmeshqip.com. Hoxha nuk ka dashur të flasë për gjendjen momentale në parti, pasi, siç thotë ai, “ka dhënë dorëheqje nga postet e deritanishme”, ndërsa Kadriu ka konfirmuar se largohet nga politika, pas fiaskos që pësoi partia në zgjedhjet e 5 qershorit.

“Demokratët e rinj” fituan 20 mijë vota, që nuk ishin të mjaftueshme as për një deputet.

“U bënë gabime edhe me listat e deputetëve dhe strategjinë zgjedhore”, ka thënë Kadriu, e cila ka refuzuar të komentojë nëse do të riaktivizohet në jetën politike.

Burime nga DR thonë se ajo do të mvaret nga lideri i ri. Nga personalitetet me nam nga partia para zgjedhjeve, i pakënaqur u tërhoq edhe ish-ministri i Arsimit, Sulejman Rishiti. Pas zgjedhjeve iku edhe nënkryetari Abedin Zymberi. Pozicionimi i tij si i dyti në njësinë zgjedhore 2 ishte befasues, nëse merret parasysh se ai e kontrollonte bazën votuese në zonën e tij në Likovë. Kohë më parë DR-në e braktisi edhe Besim Dogani, ndërsa menjëherë pas zgjedhjeve, kreu i saj Imer Selmani dha dorëheqje. Postin e ushtruesit të detyrës, lider partie, e drejton tani për tani Kastriot Haxhirexha. (LajmeShqip.com)