Lajme Shqip Sunday, 24 July 2011 18:05

Sarandë – Shetitorja e qytetit turistik të Sarandës, në jug të vendit, është boshatisur tashmë nga tregtarët ambulantë, me dhe pa tezga, me të cilët ndesheshe në çdo pjesë të saj duke penguar pushuesit e shumtë që frekuentojnë këtë qytet gjatë sezonit veror.

Pas ankesave të qytetarëve dhe pushuesve që privoheshin nga xhirot e mbrëmjes, bashkia i ka sistemuar tregtarët ambulantë në një kënd të posaçëm në shëtitore, por në një gjatësi të kufizuar.
Më parë në të gjithë gjatësinë e shëtitores, dhjetëra shitës ambulantë ofronin shërbime të ndryshme, por aktiviteti i tyre në shumë raste ishte kthyer në bezdisje dhe pengese levizjeje për kalimtarët. 
Ky ka qenë ndër veprimet e para në shërbim të publikut nga kryebashkiaku i ri Stefan Cipa, i cili i është përmbajtur kështu një premtimi të dhënë gjatë fushatës elektorale për disiplinimin e tregut ambulant në shëtitoren e qytetit turistik.
Burime nga bashkia e Sarandës thanë se ky është vetëm hapi i parë, pasi të tjera hapësira të pushtuara padrejtësisht meritojnë rishikim dhe ndërhyrje.