Kukës – Reshjet e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah rrezikun nga rrëshqitja e tokës, një fenomen gjithnjë e më shumë i pranishëm në zonën verilindore. Edhe pse me intensitet të ulët reshjet e shiut shfaqen fenomenin e rëshqitjes së tokës në aksin rrugor Kukës – Shishtavec në afërsi të fshatrave Bele dhe Nimcë, në aksin rrugor që kalon përmes grykës së Vanave. Po ashtu, fenomeni u rishfaq edhe në zonën e Ujmishtit e në ndonjë zonë tjetër të rrethit të Kukësit.
“Fenomeni i rrëshqitjes së tokës është duke u zgjeruar dhe ka prekur disa fshatra. Prej këtij fenomeni janë precur fshatra si, Bele, Nimcë, Lojme, Kolosjan, Vilë, fshatrat e zonës së Ujmishtit etj”, thotë përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.
Thuajse të njëjtën gjë e pohon edhe përgjegjësi i zyrës së urbanizim- kadastrës në komunën e Ujmishtit, Dervish Tushe. “Zona e Ujmishtit është nga më të prekura nga rrëshqitja e tokës. Me këtë fenomen jemi mësuar dhe rreziku i rrëshqitjes është i përhershëm, megjithë masat që kemi marrë për minimizimin e rrezikut”, thotë Tushe.
Rreziku nga rrëshqitja e tokës në zonën verilindore ka ardhur duke u zgjeruar si rrjedhojë e dëmtimit të masiveve pyjore, të lënies djerr të tokës e të prerjeve pa kriter të drurëve. Është kjo arsyeja që tashmë fenomeni është i pranishëm në më shumë se 15 fshatra të rrethit të Kukësit.