Lajme Shqip Monday, 05 September 2011 20:53

Tiranë – Zhvlerësimi i aksioneve të “Societe Generale” nuk ka asnjë ndikim te ecuria e bankës në Shqipëri. Drejtori i përgjithshëm i “Societe Generale Albania”, Hubert de Saint Jean, thotë se tregjet financiare po kalojnë një periudhë të luhatshme, por kjo nuk do të sjellë pasoja as për grupin dhe më pak akoma për filialin shqiptar.

“Kjo gjendje nuk ka prekur vetëm Societe Generale, por pothuajse të gjitha bankat e mëdha. Një ish-president i famshëm francez ka thënë se shpeshherë Bursa rritet në mënyrë të tepruar ose bie në mënyrë të tepruar. Unë mendoj se çmimi i aksioneve jo gjithmonë tregon vlerën reale dhe soliditetin e një kompanie. Tregjet janë shumë të luhatshme dhe kjo gjendje mund të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, por kjo nuk do të sjellë pasoja as për grupin tonë dhe, më pak akoma, për filialin tonë në Shqipëri. Duhet të dini se grupi Societe Generale ka realizuar për gjashtë muajt e parë një fitim prej 1.6 miliardë eurosh. Po të shihni rezultatet e grupeve të tjera bankare që kanë filialet e tyre në Shqipëri, rezultati jonë është shumë më i mire,” tha de Saint Jean.

Në fillim të muajit gusht, aksionet e grupit “Societe Generale” shënuan vlerën më të ulët në dy vitet e fundit, si pasojë e zërave për vështirësi likuiditeti. Por, banka franceze i cilësoi këto zëra si të pavërteta dhe tregjet reaguan pozitivisht duke i kthyer aksioneve të “Societe Generale” një pjesë të mirë të vlerës që kishin humbur më parë.

Ndërkohë, sipas të dhënave të paaudituara të publikuara nga Shoqata e Bankave, “Societe Generale Albania” arriti për 6-mujorin e parë të këtij vitit një fitim prej 175 milionë lekësh. Në fund të muajit qershor, portofoli i kredisë kishte vlerën e 23.5 miliardë lekëve, ndërsa depozitat ishin në total 47.5 miliardë lekë. (LajmeShqip.com)