Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 19:34

Tiranë – “2012-ta duhet të jetë një vit mundësish për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE”, u shpreh ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, gjatë mbledhjes për Plan Veprimin mbi 12 prioritetet kyçe të BE-së.

“Siç u nënvizua së fundmi nga komisioneri Stefan Fyle, Shqipëria nuk duhet të humbasë kohë, por duhet të japë disa rezultate të rëndësishme në këtë proces. Besojmë se është koha për të implementuar zbatimin e marrëveshjes politike të nëntorit. Arritjet në një afat të shkurtër duhet të përfshijnë reformat elektorale dhe parlamentit, që do të hapë rrugën drejt integrimit. Komisionieri Fyle nënvizoi dhe rëndësinë e procesit të reformave, ku duhet pjesëmarrja nga aktorë të ndryshëm dhe duhet të zhvillohen mbi një dialog konstruktiv mes maxhorancës dhe opozitës si dhe shoqërisë civile”, tha Sequi.
Sipas ambasadorit Sequi, Raporti i Plan Veprimit ka mjaft arritje, por duhet bërë ende punë për të arritur rezultatet e pritura.

“Ky konsultim vjen në kohën e duhur, pasi kryhet para vizitës së komisionerit Fyle në 3 maj dhe përpara mbledhjes së Stabilizim-Asocimit në 15 maj në Bruksel”, tha Sequi. “Ky konsultim duhet të tregojë se gjërat po ecin në drejtimin e duhur dhe se Shqipëria mund të japë rezultate”, theksoi ambasadori i BE-së. Prandaj, vijoi Sequi, “do të kryhen edhe konsultime të rregullta në muajt që do vijnë për këtë qëllim”.

“KE është gati që të japë mbështetje dhe udhëzime në këtë përpjekje të madhe kombëtare. 2012 mund dhe duhet të jetë një vit mundësish për Shqipërinë në lidhje me rrugën e saj drejt BE. Ne jemi këtu për të ndihmuar, për të asistuar, për të mbështetur. Megjithatë progresi do të varet tërësisht nga Shqipëria, nga vullneti i secilit prej jush. Një proces bazohet tek merita. Shpresojmë dhe besojmë se 2012 mund të jetë një vit gëzimi. Por për të arritur këtë duhet një angazhim i fortë dhe serioz, vendosmëri e sinqertë dhe bashkëpunim i plotë”, përfundoi Sequi. (LajmeShqip.com)